Vendosni fjalën kyçe....

I jep dorën “mikut imagjinar” – Videoja virale e Joe Bidenit 


Presidenti amerikan Joe Biden është bërë objekt talljeje në rrjetet sociale, pasi në përfundim të fjalimit të tij në Karolinën e Veriut, u duk se ofroi një shtrëngim duarsh për dikë që nuk dukej askund.

Pasi tha se administrata e tij ka punuar për të rindërtuar zinxhirët e furnizimit dhe për të nisur një rimëkëmbje ekonomike, Biden u kthye djathtas dhe shtriu dorën sikur po ofronte një shtrëngim duarsh. Më pas ai ktheu shpinën nga publiku dhe qëndroi për disa sekonda i hutuar, e më pas u largua nga skena.

Ky moment më pas është bërë viral në rrjetet sociale.

Kundërshtarët politikë të Biden-it e interpretuan gjestin si episodin e fundit të konfuzionit të dukshëm, të cilin politikani 79-vjeçar e ka demonstruar në disa raste gjatë presidencës së tij.

Richard Grenell, i cili shërbeu si ambasador në Gjermani dhe si drejtor i inteligjencës kombëtare në administratën Trump, e quajti atë një moment “dobësie” që e sheh e gjithë bota. Ndërsa kongresmenia Marjorie Taylor Greene tha se është “shumë e turpshme” të kesh Bidenin si president.

Disa përdorues të “Twitter”-it thanë se Biden dëshironte të shtrëngonte duart me një mik imagjinar ose një fantazmë.

Që nga fushata presidenciale e vitit 2020, Biden ka qenë shumë më pak energjik se në vitet e mëparshme. Në disa raste, ai është kapur në gafa. Kritikët pretendojnë se këto janë shenja të përkeqësimit të kapacitetit mendor, gjë që mbështetësit e Bidenit e mohojnë.