Vendosni fjalën kyçe....

Hajdutët gjejnë ‘parajsën’ tjetër, vjedhin djathë me vlerë 23 mijë dollarë në Holandë


Hajdutët e kanë gjetur prej kohësh djathin po aq fitimprurës sa shumë njerëz e shohin të shijshëm, dhe një grabitje e sofistikuar në Holandë ka bërë që fermerët e qumështit atje të vihen në gatishmëri të lartë.

Gerda van Dorp, një fermere holandeze djathi në qytetin e Fijnaart, në jug të vendit, u zgjua më 29 mars në një dhomë kryesisht të zbrazët të ruajtjes së djathit. Gjatë natës, hajdutë të panjohur kishin marrë nga raftet e saj 161 rrota djathi, me peshë rreth 1580 kilogramë, të cilit iu deshën muaj për t’u bërë dhe maturuar. Vlera e vjedhjes llogaritet në 23 mijë dollarë.

Hajdutët vodhën gjithashtu rimorkion e saj dhe dy karroca dore nga ferma, tha policia, me sa duket për të transportuar djathin në një autobus ose një kamion. Policia tha se gjeti rimorkion dhe karrocat aty pranë.

Van Dorp i tha policisë se personat që vodhën djathin e kishin pikasur prej shumë kohësh fermën e saj dhe e mbikëqyrnin. Ngjarja ndodhi ndërsa porta e pronës ishte lënë e hapur për dërgimin e qumështit gjatë natës. Askush nuk është arrestuar për rastin, tha policia, që theksoi se hetimet janë duke vazhduar.

Shitja e djathit brenda Holandës mund të jetë e vështirë. Çdo rrotë djathi ka numrin e vet të serisë, dhe fermat i shtojnë logot e tyre gjithashtu për të treguar se ku është bërë  dhe për t’i bërë prodhimet të gjurmueshme.

Çmimet e mallrave të konsumit në Holandë janë rritur, siç janë rritur kudo në botë. Ata u rritën me 9.7% në mars krahasuar me një vit më parë, duke arritur nivelet e tyre më të larta që nga viti 1976, sipas Statistikave të Holandës, një institucion qeveritar holandez që gjurmon të dhënat.

Holanda është shtëpia e 1.6 milionë lopëve dhe është një prodhues kryesor i qumështit, nga të cilat rreth dy të tretat eksportohen, sipas Shoqatës Hollandeze të Qumështit. Në vitin 2020, Holanda eksportoi produkte qumështi me vlerë rreth 8.1 miliardë dollarë.