Vendosni fjalën kyçe....

Tregu informal pengon mundësinë për investime në tregtinë online


Flet Dalip Bali, administrator i Gjejevetë.al

Tregtia online në Shqipëri është zhvilluar me ritme më të ngadalta se në vendet e tjera, por mendoj se jemi në kohën që blerjet online edhe në Shqipëri po bëhen mënyrë jetese, pavarësisht se shoqërohet me mungesë të lartë besimi te tregtarët, sidomos ata vendas.

Kështu shprehet në një intervistë për “Monitor”, Dalip Bali, administrator i platformës së shitjeve Gjejevetë.al, i cili shton se informaliteti vijon të jetë problem për tregun…

Si ka qenë ecuria e tregtisë online vitet e fundit në Shqipëri?

Vitet e fundit, balancat e tregut kanë ndryshuar dukshëm. Nga kontakti ynë i vazhdueshëm me tregtarët dhe furnitorët, tregtia online po sfidon dukshëm bizneset tradicionale. Dyqanet e vogla fizike, që kishin pjesën kryesore të shitjeve, sot po bëhen gjithmonë dhe më shumë inekzistente.

Pjesa më e madhe e këtyre bizneseve fizike nuk kanë arritur të përshtaten me trendin e ri të blerjeve online dhe kanë dalë jashtë tregu, ndërkohë është rritur numri i tregtarëve online, si individë dhe subjekte. Rritja është më e madhe tek individët, sepse e shikojnë vetëpunësimin te tregtia online.

Duke e parë si diçka të përkohshme dhe jo krijimin e një brand-i dhe një dyqani online, shumica e këtyre individëve nuk investohen të krijojnë platforma shitjesh online, apo të regjistrohen si subjekte, por i kryejnë shitjet vetëm nëpërmjet rrjeteve sociale dhe në mënyrë informale.

Sipas statistikave të mbledhura nga postat janë mbi 3500 tregtarë online, pjesa më e madhe individë që kryejnë 1-3 shitje në ditë, por në total kryejnë pjesën më të madhe të shitjeve online, madje shumë më shumë sesa tregtarët formalë.

Duke mos qenë të regjistruar dhe të paidentifikuar, sigurisht klienti nuk merr shërbimin që meriton dhe shërbimin që paguan. Kjo ndikon drejtpërdrejt te besimi i klientit te blerjet online dhe frenon rritjen me hapa më të shpejtë të këtij segmenti të tregtisë, dhe jo rastësisht Shqipëria është në nivele më të ulëta se rajoni në tregtinë online.

Në ndryshim nga individët që arrijnë të kryejnë shitje online nëpërmjet rrjeteve sociale, bizneset e konsoliduara dhe me prani të fortë në tregun tradicional, i mungon fokusi që të investohen në këto kanale shitje.

Interesi i këtyre bizneseve ishte vetëm në kohën e pandemisë që në njëfarë mënyre ishin të detyruar të përshtateshin për të zëvendësuar mungesën e shitjeve. Pas heqjes së kufizimeve dhe kthimit në normalitet, shumica e tyre i mbyllën ose nuk i mirëmbajtën më platformat e shitjeve online.

A ka ndryshuar mendësia e konsumatorit shqiptar për t’iu drejtuar shitjeve online dhe çfarë ndikimi pati pandemia në këtë drejtim?

Tregtia online në Shqipëri është zhvilluar me ritme më të ngadalta se në vendet e tjera, por mendoj se jemi në kohën që blerjet online edhe në Shqipëri po bëhen mënyrë jetese, pavarësisht se shoqërohet me mungesë të lartë besimi te tregtarët, sidomos ata vendas.

Konsumatori është gati dhe tregtia online do të qëndrojë midis nesh sepse, sa më intensive bëhet jeta, aq më shumë e nevojshme bëhet. Duke parë dhe avantazhet në çmim dhe gamë produktesh që tregtia online ofron, edhe moshat e mëdha që kanë qenë më skeptikët, kanë filluar të blejnë online.

Nëse para pak kohësh, targeti ynë kryesor për blerje online ishte mosha 25-45 vjeç, fasha është shtrirë deri në 55 vjeç. Pandemia solli një rritje që ishte e lidhur me shumë faktorë, si izolimi, koha e lirë si për të porositur edhe për të pritur pakot, vështirësimi i lëvizjes gjithashtu ndikoi në rënien e porosive nga tregtarë jashtë Shqipërisë dhe rritjen e porosive nga tregtarë vendas.

Mund të themi që u dyfishuan porositë nga tregtarët vendas. Pas daljes nga izolimi nuk është se kërkesa për shitje online pati ulje, por kishte faktorë të tjerë që ndikuan në finalizimin në shitje, si mungesa e produkteve, rritja e çmimeve dhe tkurrja e të ardhurave, si dhe rikthimi i lëvizjes dhe hapja drejt tregut ndërkombëtar.

Dukshëm tregtia online do të qëndrojë dhe do vazhdojë të rritet më shumë, duke adresuar dhe problematikat që ky segment tregu ka, të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e shërbimit dhe krijimin e besimit te konsumatori.

Cilat janë problematikat më të mëdha të sektorit dhe çfarë mund të bëhet për t’i përmirësuar?

Gjithmonë përmirësimi duhet të fillojë nga vetja, prandaj ne gjithmonë jemi munduar të ofrojmë standardin më të lartë të blerjeve online në Shqipëri. Politikat e mbrojtjes së konsumatorit kanë qenë në thelb të punës sonë prej vitesh.

U bënë 4 vjet që Gjejevetë.al pranon kthimin brenda 15 ditësh për klientët për çfarëdo arsye. Duke përmirësuar të gjithë ekosistemin, rrisim besueshmërinë e klientit, e cila automatikisht përkthehet në më shumë shitje për të gjithë ne aktorët në treg.

Prandaj ne kemi qenë nismëtarë për të adresuar problematikat që ka tregtia online ka. Kemi zhvilluar disa takime, si me Ministrinë e Financave, Tatimet dhe Bankën Botërore dhe kemi dhënë sugjerimet tona për incentivat dhe masat që duhen marrë për përmirësimin e tregtisë online.

Duke parë potencialin e këtij tregu duket që ka interes nga të gjitha instancat për ta formalizuar tregtinë online dhe së fundmi janë aplikuar disa masa, si mundësia e kthimit që u bë e detyrueshme për 14 ditë, si dhe kontrollet që janë bërë mbi subjektet postare për identifikimin e individëve informalë.

Informaliteti është shqetësuesi kryesor në këtë sektor, çka vështirëson tej mase funksionimin tonë dhe të operatorëve të tjerë formalë. Ne humbasim mundësi shumë të mira investimi, sepse askush nuk do të investojë në një treg informal.

Që të merremi me problemin e informalitetit, duhet të identifikojmë fillimisht nga nis problemi. Ai fillon me hyrjen e këtyre produkteve në treg në mënyrë jo të rregullt pa doganë, e cila bën që të vazhdojë i plotë zinxhiri në mënyrë informale. Unë nuk jam për linçimin e këtyre individëve që vetëpunësohen në treg si evazorë, por për orientimin e tyre drejt formalizimit.

Incentivat për heqjen e cash do të ulnin jashtë mase informalitetin, gjë e cila përveçse do të përmirësojë shërbimin ndaj klientit, do të hapte mundësinë e investimit me produkte të reja teknologjike drejt parasë elektronike.

Duke qenë se na takon ne aktorëve që jemi në treg ta përmirësojmë dhe zhvillojmë ekosistemin e e-commerce në Shqipëri për t’i adresuar më mirë problematikat, së fundmi kemi ndërmarrë krijimin e shoqatës së e-commerce Albanian E-Commerce Association – AECA.

Interesi për shoqatën ishte i lartë duke qenë se me tregtinë online lidhen dhe shumë sektorë të tjerë, si të shërbimeve, shoqëritë postare dhe institucionet e pagesave.

VINI RE: Ky material është pronë intelektuale e Revista Monitor