Vendosni fjalën kyçe....

Polonia sulmon ashpër Gjermaninë: E ndihmoi Rusinë të fuqizohej ekonomikisht, po pengon ashpërsimin e sanksioneve


Gjermania është një pengesë në rrugën e vendosjes së sanksioneve të ashpra ndaj Rusisë dhe ka ndihmuar Moskën të bëhet më e fortë për dekada të tëra, tha kryeministri polak Mateusz Morawiecki gjatë një konference për shtyp të hënën.

Akuza vjen në vazhdën e pretendimeve të Kievit se Rusia kishte kryer krime lufte kundër popullatës civile në Bucha, një qytet në veriperëndim të Kievit. Morawiecki i kritikoi veprimet ruse në Ukrainë tha se e vetmja mënyrë veprimi moralisht e pranueshme për BE-në është të vendosë sanksionet më të ashpra të mundshme ndaj Rusisë.

“Sa herë keni negociuar me presidentin rus Vladimir Putin?” – e pyeti zyrtari polak presidentin francez Emmanuel Macron në mënyrë retorike.

“Ju nuk negocioni me kriminelët, ju i luftoni ata. A do të negocionit me Hitlerin, Stalinin apo Pol Potin?” – shtoi ai.

Kryeministri tha se BE-ja duhet të rrisë sanksionet antiruse për të ‘thyer makinën e luftës së Putinit’, përpara se të sulmonte Gjermaninë për rekordin e saj të tregtisë me Rusinë. Berlini është zotuar të zvogëlojë varësinë e tij nga mallrat ruse, veçanërisht gazi natyror, por pranoi se do të duheshin vite dhe kjo do të shkaktonte dëme serioze në ekonominë e tij.

Ish-kancelarja Angela Merkel e lejoi Rusinë të ndërtonte ushtrinë e saj gjatë viteve të saj në pushtet duke blerë lëndë të para nga Rusia, tha politikani polak. Udhëheqja aktuale gjermane duhet të dëgjojë zërat e ‘grave dhe fëmijëve të pafajshëm, zërin e njerëzve të vrarë’ në vend të zërave të biznesmenëve gjermanë, shtoi Moraëiecki.

“Kushdo që lexon transkriptet e takimeve të BE-së do të dijë se Gjermania është pengesa kryesore në rrugën drejt sanksioneve shumë më të forta.” – tha ai, kur u pyet për kundërshtimin e Hungarisë për të sanksionuar energjinë ruse.

“Kryeministri hungarez Viktor Orban nuk i ndali sanksionet. Në fakt, pengesat kryesore janë vendet e mëdha, ata që kanë frikë për biznesin e tyre.” – tha kryeministri.

Polonia është ndër kritikët më të zëshëm të Rusisë në mesin e shteteve të BE-së. Mes krizës së vazhdueshme në Ukrainë, zyrtarët e lartë polakë kanë bërë thirrje për një dislokim masiv të trupave amerikane në Evropë, duke deklaruar se vendi i tyre ishte i etur për të pritur armë bërthamore amerikane.