Vendosni fjalën kyçe....

Banka e Shqipërisë rriti me 8.5 herë blerjet e valutës vitin e kaluar


Banka e Shqipërisë ka publikuar zyrtarisht shifrat e operacioneve të zhvilluara në tregun e këmbimit valutor edhe për tremujorin e fundit të vitit të kaluar.

Sipas informacionit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin IV 2021 janë zhvilluar 4 ankande, në të cilat janë blerë 25.8 milionë euro. Blerjet e tremujorit të fundit e çuan shumën totale të eurove të blera në ankandet valutore në 116.8 milionë euro.

Kjo shumë është 8.5 herë më e lartë krahasuar me blerjet e realizuara gjatë vitit 2020 dhe përfaqëson shifrën e dytë më të lartë historike të blerjes së euros në tregun e brendshëm valutor. Një shumë e lartë ishte regjistruar vetëm në vitin 2019.

Viti 2021 shënoi në fakt rifillimin e ankandeve të blerjes së valutës, pasi ato ishin pezulluar në mars të vitit 2020, pas shpërthimit të pandemisë. Banka e Shqipërisë vendosi pezullimin e këtyre ankandeve, për të shmangur rritjen e kërkesës për euro në tregun e brendshëm dhe për të shmangur presionet nënçmuese në kursin e këmbimit të lekut me monedhën europiane.

Në fund të marsit 2020, tregu valutor përjetoi një valë paniku që e rriti kursin e euros me 7% në më pak se dy javë. Pasi tregu u normalizua nga ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë dhe nuk shfaqi luhatje të mëdha në pjesën e mbetur të vitit, Banka e Shqipërisë vendosi rifillimin e ankandeve të blerjes së valutës gjatë vitit 2021.

Për vitin 2022 ishte parashikuar një rritje e mëtejshme e vlerës së valutës së blerë në ankande, deri në shumën e 200 milionë eurove. Por, presionet inflacioniste mbi kursin e këmbimit të lekut dhe një valë e re paniku që përfshiu tregun në fillim të këtij muaji bënë që Banka e Shqipërisë të vendoste sërish një pezullim të përkohshëm të ankandeve, të paktën të atyre të planifikuar për muajt mars dhe prill.

Vendimmarrja e mëtejshme do të përcaktohet nga ecuria e kursit të këmbimit valutor gjatë kësaj periudhe. Pas ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë, kursi është shfaqur i qëndrueshëm në intervalin 122-123 lekë dhe deri tani nuk janë vërejtur tendenca të mbiçmimit domethënës të euros.

Ankandet e blerjes së euros nga Banka e Shqipërisë bëhen në funksion të rritjes së rezervës valutore. Ky instrument shërben për plotësimin e nevojave emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë dhe për stabilizimin e luhatjeve të forta në kursin e këmbimit valutor, në rastet kur Banka e Shqipërisë vlerëson se këto luhatje nuk reflektojnë faktorët themelorë të tregut apo kur ecuria e kursit mund të cenojë përmbushjen e objektivave ligjorë të inflacionit dhe stabilitetit financiar. Ndërhyrja e fundit e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor u krye në fillim të këtij muaji, me qëllim qetësimin e një situate paniku që solli nënçmim të shpejtë të lekut.

Në janar të këtij viti rezerva valutore e vendit kishte vlerën e pothuajse pesë miliardë eurove, duke qëndruar pranë niveleve më të larta historike. Një nga parametrat bazë për të përcaktuar madhësinë e rezervës valutore është aftësia për të mbuluar të paktën katër muaj importe.

Mesatarja mujore e importeve për vitin 2021 rezultoi rreth 550 milionë euro, çka nënkupton se mbi këtë bazë rezerva valutore do të ishte e mjaftueshme për afërsisht nëntë muaj importe. Megjithatë, rritja e fortë e çmimeve të mallrave të importuara pritet ta rrisë ndjeshëm vlerën e importeve për këtë vit, duke ndikuar në uljen e këtij raporti./E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor