Vendosni fjalën kyçe....

“SHBA po çmonton shtyllat e perandorisë së saj” – Analiza


Një automjet ushtarak që mban një raketë inteligjente iraniane Zoobin (m) dhe nje raketë Sagheb (d) nën fotografitë e Udhëheqësit Suprem të Iranit Ayatollah Ali Khamenei (d) dhe Udhëheqësit të ndjerë Ayatollah Ruhollah Khomeini (m) gjatë një parade për të përkujtuar përvjetorin e luftës Iran-Irak (1980-88) , në Teheran, 22 shtator 2011

Nga Mohammed Alyahya

Marrëdhëniet arabo-amerikane janë në grahmat e një krize. Si një saudit që studioi në kolegj në SHBA, që e do Amerikën dhe dëshiron ta shohë atë të fortë, unë jam gjithnjë e më i shqetësuar nga jorealiteti i qasjes amerikane për këtë temë, e cila shpesh nuk arrin të pranojë se sa e thellë dhe serioze është rritur përçarja.

Një diskutim më realist duhet të fokusohet në një fjalë: ‘Divorci’.

Kur Presidenti Barack Obama negocioi marrëveshjen bërthamore me Iranin, ne sauditët e kuptuam se ai po kërkonte prishjen e një ‘martese’ 70-vjeçare.

Si të mos mundemi? Në fund të fundit, të metat në marrëveshje janë të njohura. Ajo i hap rrugën Iranit drejt një bombe bërthamore. Ajo forcon Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, e cila ka shpërndarë milici në të gjithë botën arabe, të armatosura me municione me precizion të lartë që komandohen me saktësi për të gjymtuar dhe vrarë njerëz që më parë i kishin sytë nga Amerika për të ndihmuar në garantimin e sigurisë së tyre.

Tymi del nga një objekt magazinimi nafte të kompanisë Saudite Aramco pas një sulmi në Jeddah, Arabi Saudite më 26 mars 2022

Fundjavën e kaluar, Sekretari i Shtetit Antony Blinken iu bashkua një konference në Negev, të organizuar nga Ministri i Jashtëm izraelit Yair Lapid dhe të ndjekur nga një numër ministrash të Jashtëm arabë. Blinken e përdori këtë rast për të dokumentuar përçarjen që ka krijuar marrëveshja bërthamore duke paraqitur një imazh të solidaritetit rajonal, por rajoni nuk mund të mashtrohet lehtë.

E shitur pa çiltërsi ndaj publikut amerikan si një marrëveshje për kontrollin e armëve, marrëveshja është një sulm ndaj rendit rajonal që SHBA-ja vendosi pas Luftës së Dytë Botërore.

Në mënyrë qartësisht armiqësore ndaj Arabisë Saudite, për të mos folur më tej për aleatin tjetër më të madh të Amerikës në rajon, Izraelin, marrëveshja zëvendëson ish-strukturën rajonale të sigurisë së udhëhequr nga Amerika me një sistem ujdish në të cilin Irani, i mbështetur nga Rusia dhe Kina, bëhet nënkontraktori i ri i Amerikës ndërsa ish-aleatët e Amerikës – Shtetet e Gjirit dhe Izraeli – janë zbritur në statusin e nivelit të dytë.

Më e rëndësishmja, për autorët e saj, marrëveshja i nxjerr Shtetet e Bashkuara nga biznesi i frenimit të Iranit, i cili si përgjigje ka shtuar më tej sulmet e tij ndaj paqes dhe stabilitetit rajonal.

Të premten e kaluar, ndërsa Blinken përgatitej për udhëtimin e tij në ‘kibutin’ e vjetër të David Ben Gurion në Sde Boker, milicia Houthi e mbështetur nga Irani nisi një sulm me raketa kundër kompanisë shtetërore saudite të naftës ‘Aramco’ në Jeddah. Ky sulm ishte i radhës në një seri të gjatë sulmesh të pacipa që Irani ka kryer, ose drejtpërdrejt nga toka e tij ose në mënyrë indirekte përmes përfaqësuesve të tij në rajon.

Gjatë administratave Obama-Biden, agresionet e Iranit janë përballur me thirrjet amerikane për ‘depërshkallëzimin’ dhe fajësimin e shpeshtë të Mbretërisë Saudite për një konflikt të cilin nuk e kërkuam me terroristët në kufijtë tanë të mbështetur nga Irani – një fuqi e huaj që administrata Biden po i premton pasurimin me qindra miliarda dollarë nëpërmjet lehtësimit të sanksioneve. Rusia do të marrë gjithashtu një ‘pjesë’, e cila pa dyshim do shkojë në financimin e luftës së saj në Ukrainë.

Jo shumë kohë më parë, Shtetet e Bashkuara u paraqitën para aleatëve të tyre si mburoja e tyre kundër të gjithë aktorëve që kërkonin hegjemoninë rajonale. Kryefjala e aleancës ishte mbrojtja kolektive.

Pretendimi i ‘ekuilibrit’ i paraqitur nga Obama për të justifikuar marrëveshjen, nuk kishte kurrë kuptim racional. Në fund të fundit, nëse një mik premton të ‘ekuilibrojë’ nevojat e tua në kurriz të nevojave të armiqve të tu, duket e drejtë të arrihet në përfundimin se ai nuk është më i interesuar të jetë miku juaj.

Në vend të miqësisë, Amerika duket më e prirur të përdorë miqtë e saj të vjetër si mburoja njerëzore për Iranin. Në fillim të këtij muaji, kur Irani kreu një sulm me raketa balistike pranë konsullatës së SHBA-së në Erbil, Irak, ai pretendoi në mënyrë të rreme se synonte një objekt izraelit.

Një zyrtar i lartë i administratës Biden konfirmoi më pas pretendimin iranian. Edhe pse më pas zyrtarë të tjerë e mohuan, dëmi ishte shkaktuar. Një zyrtar amerikan e kishte ndihmuar Iranin që të përfitonte sa më shumë nga propaganda e tij me veprim.

Kryeministri izraelit Naftali Bennett dhe Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken në një deklaratë të përbashkët për shtyp, 27 mars 2022

Për shtetet arabe në rajon, dhe veçanërisht për Arabinë Saudite, ky spektakël i çuditshëm ishte një spektakël edukues. Nëse amerikanët nuk do të dalin në anën e Izraelit kundër Iranit, cila është mundësia që ata të anojnë nga krahu ynë?

Jo shumë kohë më parë, Shtetet e Bashkuara u paraqitën para aleatëve të tyre si mburoja e tyre kundër të gjithë aktorëve që kërkonin hegjemoninë rajonale. Kryefjala e aleancës ishte mbrojtja kolektive.

Këto ditë, Shtetet e Bashkuara e përshkruajnë frenimin ushtarak kundër Iranit si një shteg që rrëshqet drejt luftës – në emër të ‘aleatëve mosmirënjohës’. Ndërsa ky qëndrim është më i përhapuri në mesin e demokratëve, Presidenti Donald Trump gjithashtu nuk arriti të ndihmojë Riadin të pengojë Iranin pas sulmit në rafinerinë Abqaiq në shtator të vitit 2019. E kombinuar me deklaratat e tij për qëllimin për t’u larguar nga Lindja e Mesme, kjo braktisje e parandalimit të Iranit i bëri sauditët të habiteshin nëse edhe republikanët nuk po synonin një ‘divorc’.

Por është vendosmëria e administratës Biden për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të Iranit ajo që i ka bindur më së shumti sauditët se Amerika është e vendosur të çmontojë rendin rajonal që krijoi, pavarësisht se çfarë demonësh mund të lërë të lirë.

Me sa duket asgjë nuk do e shmangë Shtëpinë e Bardhë nga qëllimi i saj. Gjatë negociatave në Vjenë, sulmet nga Irani janë bërë gjithnjë e më të pacipa. As sulmi nga përfaqësuesit iranianë ndaj forcave amerikane në rajonin Tanf të Sirisë dhe sulmet e përsëritura ndaj ambasadës amerikane në Irak nuk e kanë shmangur presidentin Biden nga qëllimi i tij për t’i dhënë qindra miliarda dollarë IRGC-së (Garda Revolucionare).

Inkoherenca e kësaj politike është e habitshme, ashtu si edhe shkalla e shkatërrimit njerëzor dhe ekonomik që ajo ka shkaktuar tashmë gjatë dekadës së fundit.

Në Riad, nuk harrohet se pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2014 u pasua me shpejtësi nga ngritja e një aleance ruso-iraniane në Siri që rrafshoi shumicën e qyteteve kryesore të atij vendi dhe i dha Moskës një bazë ushtarake në Mesdheun Lindor duke çimentuar pikën e parë të Rusisë në Lindjen e Mesme që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.

Kur sauditët protestuan ndaj pasivitetit të Obamës, ai u tha atyre se duhet ‘të mësojnë të ndajnë rajonin me Iranin’. Dhe është në kurriz të aleatëve rajonalë të Amerikës tani që, edhe pse Biden i kërkon Arabisë Saudite të rrisë prodhimin e naftës për të ndihmuar në mbështetjen e fushatës kundër Rusisë mbi Ukrainën, ai po i jep lëshime lidhur me sanksionet Rusisë, në mënyrë që ajo të vazhdojë të garantojë marrëveshjen bërthamore me Irani në të cilën ndërmhetësoi – pjesërisht duke zotëruar rezervat e uraniumit të Iranit dhe duke mbrojtur objektet e tij bërthamore nëntokësore të mbushura me centrifuga të paligjshme që përgatiten të prodhojnë materiale për armë bërthamore.

Pse aleatët rajonalë të Amerikës duhet ta ndihmojnë Uashingtonin të frenojë Rusinë në Evropë kur Uashingtoni po forcon Rusinë dhe Iranin në Lindjen e Mesme?

Supozimi amerikan që sugjerohet këtu, nëse ka një të tillë, është se aleatët e vjetër rajonalë të vendit nuk kanë zgjidhje tjetër veçse ‘të hanë çdo gjë që u shërbehet për mëngjes dhe ta hanë përsëri për drekë’. Ky supozim është arrogant dhe i rremë.

Ndërsa politika amerikane është e rrethuar nga kontradikta ngatërruese, politika kineze është e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë. Pekini po i ofron Riadit një marrëveshje të thjeshtë: Na shisni naftën tuaj dhe zgjidhni çdo pajisje ushtarake që dëshironi nga katalogu ynë; në këmbim, na ndihmoni të stabilizojmë tregjet globale të energjisë. Me fjalë të tjera, kinezët po ofrojnë atë që duket gjithnjë e më shumë e modeluar sipas marrëveshjes amerikano-saudite që stabilizoi Lindjen e Mesme për 70 vjet.

Ajo që nuk është ende e qartë është nëse kinezët mund të jenë të dobishëm në frenimin e Iranit, apo nëse ata ndajnë besimin amerikan te ‘ekuilibri’. Por Xi Jinping do të vizitojë Riadin në maj. Është e sigurt që liderët sauditë do ta pyesin nëse goditja me raketa nga Irani ndaj objekteve të naftës të prodhuesit më të besueshëm të naftës në botë është në interes të Kinës dhe nëse jo, a mund t’i ndalojë Pekini?

*Autori është një bashkëpunëtor në Institutin Hudson në Uashington DC dhe ish kryeredaktori i Al Arabiya në versionin anglisht.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Jerusalem Post

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani