Vendosni fjalën kyçe....

Kremlini i përgjigjet Shtëpisë së Bardhë: Presidentin e Rusisë e zgjedhin rusët, jo Bideni


Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka thënë se nuk i takon presidentit amerikan Joe Biden të vendosë se kush duhet të jetë në pushtet në Rusi.

“Kjo nuk i takon Bidenit ta vendosë. Presidenti i Rusisë zgjidhet nga rusët.”– i tha Peskov “Reuters” të shtunën, kur u pyet për të komentuar komentet e Bidenit në Varshavë.

Më herët gjatë ditës së shtunë, presidenti i SHBA-ve gjatë vizitës së tij në Poloni tha se presidenti rus Vladimir Putin “nuk mund të qëndrojë në pushtet”.

Më vonë, Shtëpia e Bardhë siguroi se në fjalimin e tij për Ukrainën, Biden nuk kishte bërë thirrje për ndryshim të regjimit në Rusi.

“Qëndrimi i Presidentit ishte se Putini nuk mund të lejohet të ushtrojë pushtet mbi fqinjët e tij apo rajonin.”- tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, citon TASS. “Ai nuk po diskutonte fuqinë e Putinit në Rusi, apo ndryshimin e regjimit.”