Vendosni fjalën kyçe....

Gjekmarkaj: Data 12 erdhi por Basha nuk u rrëzua, dje lindi “partia” berishiste dhe anti-amerikane


Deputeti dhe anëtari i Kryesisë së PD-së Agron Gjekmarkaj ka reaguar për Kuvendin e djeshëm të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Gjekmarkaj deklaron se megjithëse erdhi data 12, Lulzim Basha nuk u rrëzuar dhe as PD nuk u pushtua.

Por në analizën e tij, dje ka lindur një forcë e re berishiste antiamerikane.

“Po. Kjo është vërtetë, e djeshmja që një ditë historike 31 vjet me pas, themelimit të forcës së parë pro-amerikane dhe euro-atlantike-Partisë Demokratike! Dje lindi “partia” berishiste-“partia” anti-amerikane dhe anti-euro-atlantike!

Ndodhi ajo që pata parashikuar, erdhi data 12, njerëzit iken! Basha nuk u rrëzua. PD nuk u pushtua. As Ramën nuk e rrëzuan për fat të keq.

Tashmë Shqipëria ka jo vetëm një lider politik të shpallur NON-grata nga SHBA; jo vetëm një familje politike NON-grata, por edhe një organizatë politike anti-amerikane që siç ka thënë përfaqësuesi i Departamentit të Dhtetit do të jetë së shpejti non-grata.

Fakti, që 24 orë pas paralajmërimeve të forta të përfaqësuesit të Departamentit të Shtetit, Sali Berisha e bëri këtë, e tregon qartë qëllimin e tij: strukturimin e një force politike anti-amerikane.”- shkruan Gjekmarkaj.

Ai shprehet se është mirëkuptues dhe aspak i lënduar nga demokratët që për shkak “të pakënaqësisë ndaj Lulzim Bashës dhe PD, i janë bashkuar dje themelimit të asaj organizate”.

Gjekmarkaj shprehet se ata janë demokratë, pro- perëndimore dhe pro- amerikanë pavarësisht se iu bashkuan Kuvendit të djeshëm dhe ngre shqetësimin që duhet ndjekur çdo rrugë për t’i rikthyer ata në parti.

Deputeti i qëndron Kuvendit të thirrur nga Lulzim Basha duke thënë se: “Me datë 18 në Kuvendin e saj Kombëtar, Partia Demokratike rikonfirmon edhe një herë vullnetin e saj properendimor të vetin dhe të shumicës së shqiptarëve.”