Vendosni fjalën kyçe....

Zjarri në Komisariatin e Kamzës, ndërron jetë në spital një nga të asfiksuarit


Ka ndërruar jetë në spital një nga tre të asfiksuarit në zjarrin që ra në Komisariatin e Kamzës.

Viktima mësohet se është Arben Mici, ndërsa dy të asfiksuarit e tjerë që u dërguan në spital janë i ndaluari me iniciale D.I. e punonjësi i policisë me iniciale H.B. gjendja e të cilëve nuk dihet ende.

Zjarri ka rënë fillimisht në mjedisin ku mbahen personat e ndaluar.

Pavarësisht se zjarrfikëset e ardhura në vendin e ngjarjes kanë mundur ta shuajnë zjarrin, tymi i përhapur në godinë ka çuar në asfiksimin e tre personave të lartpërmendur, njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë në spital.

Viktima ishte arrestuar pë dhunë në familje pasditen e sotme.

Punonjësit e Komisariatit të Kamzës janë evakuuar përkohësisht nga godina ndërsa të ndaluarit janë shpërndarë në komisariate të tjera. Shkaqet e rënies së zjarrit nuk janë bërë ende me dije.

Njoftimi

“Më datë 26.03.2022, në Kamzë, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në rrethana ende të paqarta,  ka rënë zjarr dhe si pasojë janë dëmtuar dhe janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore shtetasit e ndaluar A. M., D. I., dhe punonjësi i policisë H. B. Shtetasi A. M., ka ndërruar jetë në spital. Me ndërhyrjen e zjarrfikëseve dhe të punonjësve të Policisë të Komisariatit Nr. 5, zjarri u shua. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.”