Akuza të forta vijnë nga Ukraina ndaj Rusisë, lidhur me atë që po ndodh me evakuimet e civilëve në qytetet e Ukrainës sot.
Çfarë dimë deri tani:
Mariupol
Si zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko, ashtu edhe Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës kanë akuzuar forcat ruse për bombardimin e korridorit humanitar në qytetin kyç jugor.
Nikolenko tha se tetë kamionë dhe 30 autobusë janë në rrugë për të dërguar ndihma humanitare në qytet dhe për të evakuuar civilët në Zaporizhzhya. Por ai theksoi se “ne nuk e dimë” nëse ato kamionë do të jenë në gjendje të hyjnë brenda.
Është e paqartë nëse dikush ka mundur të largohet.
Sumy
Një kolonë evakuimi nga qyteti i rrethuar i Sumy-t ka mbërritur në rajonin e Poltava, më larg kufirit rus se qyteti i përmendur më lart.
Korridori është planifikuar të jetë i hapur deri në orën 19:00 sot.
Bucha
Forcat ruse po sabotojnë një përpjekje evakuimi nga rrethi Bucha në rajonin e Kievit. Të paktën kështu thotë kreu i administratës rajonale të Kievit, Oleksiy Kuleba.
“Rrethi po përgatitet për evakuim masiv të njerëzve dhe furnizim me ndihma humanitare. Një armëpushim është i nevojshëm për këtë.”– tha Kuleba.
Ai tha se njerëzit kishin mundur të largoheshin nga qyteti i afërt i Irpin gjatë 24 orëve të fundit.