Vendosni fjalën kyçe....

Blinken thotë se s’ka armëpushim me Rusinë derisa Ukraina të ketë avantazh në luftë – AP


 

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të premten se Shtetet e Bashkuara nuk do mbështesin bisedimet e paqes në luftën në Ukrainë derisa Kievi të jetë në avantazh, ndoshta pas një kundërofensive ukrainase që duket se po merr formë, shkruan AP.

Blinken tha se dëgjimi i thirrjeve nga Rusia dhe të tjerët, përfshirë Kinën, për një armëpushim dhe negociata për t’i dhënë fund luftës tani do çonte në një ‘paqe Potemkin’ që nuk do siguronte sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës ose nuk do rriste sigurinë evropiane.

‘Fshati Potemkin’ ishte një taktikë që ministri i qeverisë ruse i shekullit të 18-të, Grigory Potemkin, e përdori për të ndërtuar hyrjet fshatrave sikur shkëlqenin nga mirëqenia për të krijuar një iluzion prosperiteti për perandoreshën e Rusisë.

Në një fjalim në Finlandë, e cila kohët e fundit u bashkua me NATO-n dhe ndan një kufi të gjatë me Rusinë, Blinken përsëriti pikëpamjen e SHBA se ‘një armëpushim që thjesht ngrin linjat aktuale në vend’ dhe i lejon presidentit rus Vladimir Putin ‘të konsolidojë kontrollin mbi territorin që ka pushtuar nuk është paqe e drejtë dhe e qëndrueshme.

‘Lejimi i Moskës të mbajë një të pestën e territorit ukrainas që është pushtuar, do të dërgonte mesazhin e gabuar për Rusinë dhe për ‘agresorët e tjerë të mundshëm në mbarë botën’, sipas Blinken.

Pozicioni i Blinken është i ngjashëm me atë të zyrtarëve ukrainas, duke përfshirë deklaratën e tij se Rusia duhet të paguajë për një pjesë të rindërtimit të Ukrainës dhe të mbahet përgjegjëse për pushtimin në shkallë të plotë të fqinjit të saj në shkurt 2022.

Zyrtarët ukrainas kanë dhënë sinjale konfuze nëse një kundërofensivë po vjen apo po zhvillohet tashmë. Disa kanë sugjeruar se nuk do jetë një breshëri sulmesh të njëkohshme në të gjithë vijën e frontit, përkundrazi një seri sulmesh më të shënjestruara, të kufizuara, së pari për të dobësuar linjat e furnizimit dhe infrastrukturën e Rusisë, më pas për të zgjeruar dhe intensifikuar.