Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi nga Durrësi: Gjimnazi “Gjergj Kastrioti” shembet nga bashkia pa prokurim


Një denoncim vjen sot nga Partia Demokratike e Durrësit. Edlira Devolli, e cila është zëdhënësja e fushatës së kandidatit demokrat për Bashkinë e Durrësit, Luan Hoti doli sot në një deklaratë për mediet ku denoncoi se po shembej gjimnazi “Gjergj Kastrioti”.

Devolli shprehet se shembja e shkollës është kryer në mënyrë jotransparente. Sipas denoncimit, shkolla është përdorur pas tërmetit të Nëntorit të vitit 2019 nga nxënësit, por më pas u klasifikua e rrezikshme dhe u vendos për prishje.

Për këto arsye PD-ja e Durrësit ngre disa pyetje, mes të cilave nëse janë vënë në rrezik jetët e fëmijëve në periudhën Dhjetor 2019 -Mars 2020 kur shkonin në këtë shkollë, dhe pse kryebashkiakja Emiriana Sako e kryen këtë prishje pikërisht 3 ditë para zgjedhjeve lokale.

DEKLARATA E PLOTË

Shkolla “Gjergj Kastrioti” po shembet sot.

Shembja e shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti”në qytetin e Durrësit, janë kryer në mënyrë jotransparente përsa i përket dokumentacionit i cili vërteton se ata kanë pësuar dëmtime nga tërmeti fatkeq i Nëntorit 2019.

Të dyja shkollat e mesme, si ajo Naim Frashëri dhe ajo “Gjergj Kastrioti” janë përdorur pas tërmetit të Nëntorit nga nxënësit. Këtyre shkollave pas tërmetit, iu bënë verifikime nga Instituti i Ndërtimit dhe u rivunë në përdorim në periudhën Dhjetor e deri në Mars 2020 kur ra pandemia Covid-19. Më pas këto shkolla u klasifikuan të dëmtuara rëndë, shumë të rrezikshme, deri për prishje.

Ngrejmë disa pyetje për këtë që ka ndodhur:

  1. A ka vënë në rrezik jetët e fëmijëve kryebashkiakja Sako, si përgjegjëse direkt për gjendjen e shkollave pas tërmetit (si drejtore e Shërbimeve Publike) dhe z.Ardian Gurra si drejtor i Arsim-Kulturës në periudhën Dhjetor 2019 -Mars 2020?
  2. Me Vendimin e Këshillit Bashkiak Durrës me Nr.111 datë 30.09.2021 është miratuar prishja e detyruar e shkollës Gjergj Kastrioti, si rezultat i konkluzioneve të aktekspetizës së thelluar hartuar nga subjekti “ARKONSTUDIO” shpk.

Pyetjet të tjera që shtrohen janë:

Pse nuk është kryer nga Instituti i Ndërtimit kjo akt-ekspertizë? A ka mbajtur akt Konstatim Instituti i Ndërtimit, kur u rivu në përdorim nga Bashkia Durrës shkolla në periudhën Dhjetor 2019-Mars 2020?

A ka kryer prokurim Bashkia Durrës për hartimin e kësaj akt-ekspertize me subjekt privat?

Me çfarë parash është paguar kjo shoqëri, e cila ka ortak 50% z.Erjon Këri (djali i Pilo Kërit) ish kandidat i PS për qarkun Berat, dhe subjekt i cili gllabëron pothuaj të gjithë prokurimet e rindërtimit në Durrës?

  1. A është lëshuar leje për prishje ndërtimi të objektit të dëmtuar nga fatkeqësia natyrore nga Bashkia Durrës për Shkollën Gjergj Kastrioti? Meqenëse jemi në këtë temë: Po për shkollën tashmë të prishur Naim Frashëri, a kishte lëshuar leje për prishje ndërtimi Bashkia Durrës?
  2. Pse zëvendëskryetarja Emiriana Sako e kryen këtë prishje pikërisht 3 ditë para zgjedhjeve lokale?

Të gjitha këto veprime të zëvendëskryetares Emiriana Sako, flasin për shpërdorim të pastër detyre nga ana e saj, dhe abuzim me fondet e bashkisë dhe fondet e rindërtimit.