Vendosni fjalën kyçe....

“Mos më thuaj mi, mu drejtoni me respekt” – Përsëri debate mes Ramës e Tabakut për çdo gjë përveçse për inceneratorët


Përsëri debate mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetares së Komisionit Hetimor për Inceneratorët, Jorida Tabaku. Por debatet duket se po orientohen kudo tjetër përveçse për inceneratorët.

Pasi Tabaku përmendi ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri i cili sot ndodhet në burg, Rama solli në Komision me batuta edhe kryedemokratin Lulzim Basha. Më pas Tabaku u nervozua pasi kryeministri iu drejtua me “mi” dhe ajo i kërkoi “mu drejtoni me respekt”.

Pjesë nga diskutimi:

Tabaku: Këtu bëhet fjalë për një akuzë të ngritur nga organi hetimor për çështjen të cilën është objekt i këtij komisioni hetimor; që në vendimmarrje nuk është përfshirë vetëm një ministër. Në vendimmarrje është përfshirë një pjesë e strukturës administrative që kishte vendimmarrje në këtë proces për një procedurë që nuk ekziston në ligj, ku dy ministra tuaj e kanë miratuar në këtë komision por edhe në shkresat zyrtare që kjo procedurë duhej miratuar por ndërkohë që nuk ekzistonte në ligj. Dhe për një procedurë që ka shkuar në zbatimin e një kontrate, në gjykimin tonë abuzive. Unë ju kam dëgjuar që keni folur edhe herë të tjera për projekte madhore, për individ, për ish- ministra për të cilët ndiheni krenar. Dhe shumë herë keni qenë krenar edhe në raste të ngjashme që kanë përfunduar në organin e akuzës. Nuk më vjen mirë të flas për ish-ministrin Tahiri, shokun tim të klasës. Për këtë vepër që ishit krenar dhe u mblodh grupi i PS në inceneratorin e Elbasanit, i cili sot nuk funksionon, ka dy muaj që nuk punon.

Sipas dëshmisë së kryetarit të Elbasanit, administrator dhe një grupi deputetësh që e kanë parë. Unë nuk kam qenë. Unë kam qenë në inceneratorin e Tiranës. Për të cilët keni qenë krenar, por kanë ndodhur fakte të tjera që kanë qenë para organit të akuzës. Shqetësimi këtu nuk bëhet fjalë për një individ, por për një sërë procedurash që kanë hapur rrugë zbatimit të një kontrate abuzive, në gjykimin tim dhe në gjykimin tonë që kemi ngritur këto akuza. Prandaj ju drejtova pyetjen, sa përgjegjësi administrative mbani ju si Kryeministër dhe personat e përfshirë në këtë proces? Duke pasur parasysh edhe këtë rekord të së shkuarës. Sepse siç e thatë edhe ju pushteti 8-9 vjet, me shumë modesti, edhe ngarkesa, unë besoj se e bëj këtë pyetje me të drejtë. Pavarësisht asaj që është ngritur nga organi i akuzës pyetja ua bëra ju si Kryeministër dhe si dëshmitar. Dhe akuza që është ngritur grup i strukturuar kriminal mund të jetë me të vërtetë të rënda.

Rama: Jo ato grupi i strukturuar kriminal nuk është e rëndë, ajo është kulmi. Por çështja e grupit të strukturuar kriminal do të trajtohet në Gjykatat e vendit pasi të mbarojë hetimi. Por meqë e hapët pak krahun kur I thonë fjalës… Unë nuk thashë 8 vjet 9 vjet, se psh…  Tani ju thatë se unë u tregova m modest kur thashë “Jo po ishin 8-vjet”. Se ishin disa që i solli miku im Lulzim Basha për disa muaj dhe ata sikur të ishin 18-vjet. Nuk është çështje 8-9 vjetësh kjo, çështja është sa e mban, sa e mban përballë tundimit. Kaq e thjeshtë është. Ça lidhje ka me vitet kjo? Njeriu është, o s’është…

Tabaku: Gjykimet për personat që nuk janë lkëtu ti lëmë jashtë kësaj salle. Iu fokusuam një parimi. Po ju dëgjoj me shumë interes. Ju lutem. Z.Rama, z.dëshmitar, ju lutem fokusohuni tek përgjigja.

Rama: Zonja Tabaku, po si personat jashtë kësaj salle? Tjetri është në burg dhe ti e përmende këtu. Tani u shqetësove se u përmend Luli 1 herë dhe nuk i thashë gjë.

Nuk thashë që i ndau lekët me ata që i çoi atje mbas marrëveshjes.

Tabaku: Këto akuza mua nuk më duken normale.

Rama: Por nuk e thashë pra nuk e thashë

Tabaku: Atë po them…  As unë nuk po them që janë futur kriminelë në lista deputetësh. Të merremi me fokusin e këtij Komisioni Hetimor.

Rama: Po pse më ndërhyn tashi? Po çështë ky muhabet?! Të dëgjova deri në fund, mos më ndërprit. Unë do flas siç di unë. Unë nuk të thashë mos përmend këtë, mos përmend atë, s’e kam problem. Më ngrite problemin e krenarisë dhe unë do flas për krenarinë se ma ngrite vetë.

Të thashë që jam shumë krenar për këto vepra. U ktheve tek ministrat, tek puna. Tani për këtë punën se si mund të jesh krenar, për një njeri që në një moment të caktuar pastaj del për një arsye apo tjetër me hije, pyet kkryetarin e partisë tënde për krenarinë që ka për Sali Berishën.

Tabaku: E thërrisnin në Komision por nuk e donin. E kishit thërritur.

Rama: Po më lër të mbaroj mi se po të shpjegoj.

Tabaku: Të lutem mu drejtoni me respekt. Mos më thoni mi. Mu drejtoni me respekt.

Rama: Çfarë thashë?

Tabaku: Më lër të mbaroj mi… Mu drejtoni me respekt.

Rama: Mi thashë? Ndjesë. Nëse. Ermonela të lutem.

Tabaku: Me qetësi Ermonela, të kam thënë disa herë

Rama: Nëse të thashë mi, unë këtë mi nuk e kam. Nuk e di nëse e thashë, ndjesë. Por më lër. Mos më ndërprit të lutem shumë. Pyet Lulzim Bashën: Si mund të jesh krenar ti për Sali Berishën dhe sot ti me Sali Berishën ke hyrë në luftë? Se kjo është puna.

Tabaku : Nuk është ky objekt i Komisionit.

Rama: Se s’është objekt i Komisionit. Por as Saimir Tahiri nuk është objekt i Komisionit. Po ti e ke shok klase. Të lutem tani, unë po i shkoj me shumë fanatizëm linjës që po imponon vetë.

Tabaku: Ju lutem, me qetësi… Të lutem.

Rama: Po çështë kjo thirrje për qetësi?!

Tabaku: Unë nuk po përmend asgjë tjetër përveç përgjegjësive të qeverisë. Faleminderit!

Rama: Me nder qofsh. Të përgjigjem unë tani? Saimir Tahirin, shokun e klasës e sollët ju. Unë nuk thashë pse e solle, por më lër të jap përgjigje.