Vendosni fjalën kyçe....

Policia përpiqet të shpërndajë ‘Karvanin e lirisë’ në kryeqytetin e Kanadasë, qindra të arrestuar (Video)


Qindra protestues janë arrestuar nga policia në kryeqytetin e Kanadasë, Otavë. Forcat policore të mbledhura të shumta në numër në kryeqytet janë përpjekur të shpërndajnë protestën e njohur si ‘Karvani i lirisë’ e nisur nga disa shtete të Kanadasë për të kulmuar në kryeqytet.

Mijëra mjete e dhjetëra mijëra persona kanë qenë pjesë e karvanit dhe e protestës. Ata kanë kërkuar heqjen e pasaportës së vaksinës Covid, heqjen e maskave dhe të vaksinimit të detyrueshëm.

Kryeministri Trudeau dhe disa politikanë të lartë e kanë quajtur ‘Karvanin e lirisë’ një ‘pakicë të skajshme’. Pak ditë më parëm qeveria miratoi Aktin e Emergjencave për t’u përballur me protestuesit.

 

“Duhet të largoheni,” tha policia e Otavës në mesazhet e përsëritura të postuara në faqen e tyre në Twitter në një përpjekje për të shpërndarë protestuesit.

“Duhet të ndaloni aktivitetin e mëtejshëm të paligjshëm dhe të hiqni menjëherë automjetin ose pronën tuaj nga të gjitha vendet e protestave të paligjshme. Kushdo brenda vendit të protestës së paligjshme mund të arrestohet.” – vijoi mesazhi.

Videot dhe fotot e postuara në internet tregojnë policinë e hipur mbi kuaj duke u futur me forcë përmes një turme demonstruesish,  me dy prej qytetarëve që duket se bien në tokë.

Më vonë, ndërsa video e incidentit vazhdoi të përhapej në internet, policia e Otavës njoftoi: “Ne e dëgjojmë shqetësimin tuaj për njerëzit e rrëzuar në tokë pasi kuajt shpërndanë një turmë. Kushdo që u rrëzua u ngrit dhe u largua. Ne nuk jemi në dijeni të ndonjë lëndimi.” – tha policia.

Ndërkohë vetë protestuesit dhe qytetarët kanë deklaruar se do e vijojnë protestën dhe s’e nuk kanë dërmend të ndalojnë.

Të shtunën në mëngjes, reporteri i ‘Global National’, Sean O’Shea, i cili ka siguruar mbulim të rregullt në terren të protestave që nga fillimi i këtij muaji, tha se ‘të gjitha automjetet e protestës, përfshirë kamionët e parkuar në qendër të Otavës janë zhdukur gjatë natës’. – shkruan Fox News.

 

Anëtarët konservatorë të parlamentit kanadez kanë bërë thirrje për ndalimin e dhunës policore. Deputetja Leslyn Lewis e quajti urdhrin ‘agresiv dhe të panevojshëm’ në një deklaratë të së premtes dhe tha se ajo do të votonte kundër tij sapo Parlamenti të rifillonte.

Trudeau të premten tha se ‘bllokadat dhe pushtimet e paligjshme të protestuesve kanë kërcënuar bizneset, rrezikojnë vendet e punës dhe kanë penguar komunitetet për tre javë tani’.

“Këtë javë, për të rivendosur rendin publik dhe për të mbrojtur kanadezët ndërsa situata është në zhvillim, qeveria jonë thirri Aktin e Emergjencave,” tha ai në një postim në Twitter.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani