Vendosni fjalën kyçe....

Basha në Durrës: Marrja e sfidës së kandidimit në një moment si ky dëshmon shpirtin sipërmarës


Kryetari i PD-së Lulzim Basha po merr pjesë sot në një takim të organizuar nga Dhoma e Tregtisë Durrës, me përfaqësues të biznesit të qytetit bregdetar.

Në këtë takim ndodhet edhe kandidati i PD-së për bashkinë e Durrësit, Luan Hoti.

Gjatë fjalës së tij, Basha tha se marrja e sfidës së kandidimit është një vendim shumë i vështirë në çdo kontekst, por sidomos në një moment si ky dhe që sipas tij kjo dëshmon shpirtin sipërmarës të Hotit.

 “Të nderuar përfaqësues, drejtues të bordit të Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë së Durrësit për pjesëmarrjen dhe ftesën në këtë takim që përfaqëson interesat e shumicës dërrmuese të faktorëve ekonomikë të Durrësit.

Mirënjohje të shumëfishtë sepse nuk është hera e parë që takohem, madje mund të them që është një nga herët e pakta që takohemi në prag fushate sepse për fat të mirë Dhoma e Tregëtisë dhe e Industrisë së Durrësit ashtu si Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë të disa prej qendrave të rëndësishme ekonomike të Shqipërisë kanë treguar një gadishmëri për një dialog real me Partinë Demokratike në opozitë gjatë gjithë kësaj kohe dhe ka qenë ky dialog që na ka ndihmuar të formulojmë disa prej zgjidhjeve kryesore për gjendjen ku ndodhet ekonomia shqiptare, zgjidhje të cilat i paraqitëm në mënyrë shteruese vitin e kaluar.

Sot ndodhemi këtu në prani në zotit Hoti i cili sigurisht në qytetin e tij, në mbientin e tij nuk ka nevojë për prezantim. Prezantimi i vetëm që mund të bëj është që ka marrë përsipër në një kohë veçanërisht sfiduese për Durrësin, për ekonominë e Durrësit, për familjet durrsake një sfidë të përmasave të jashtëzakonshme.

Marrja e sfidës së kandidimit për të përfaqësuar përgjegjësinë e kryebashkiakut është një vendim shumë i vështirë dhe i rëndë për këdo në çdo kontekst, në çdo demokraci.

Ta marrësh këtë përgjegjësi në një moment si ky që kalojmë me të gjithë komponentët, duke përfshirë këtu edhe komponentët politikë ku po ndodh e gjithë kjo ku nuk kam ndërmend të ndalem mendoj se dëshmon kurajon jo thjesht personale dhe qytetare të zotit Hoti, por dëshmon shpirtin sipërmarës në të gjitha kuptimetqë karakterizon sipërmarrjen durrsake që nuk i bën bisht sfidave.”- tha Basha.