Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e policit Saimir Hoxha, ILD masë disiplinore për dy prokurorë të Lezhës: “Amnistuan” Aldi Ramën


Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar masë disiplinore për dy prokurorët e Lezhës, Milan Laskaj dhe Francesk Ganaj.

Kjo me arsyetimin se këta të dy se kanë ‘amnistuar’ Aldi Ramën, të riun e akuzuar për vrasjen e policit Saimir Hoxha.

Kujtojmë se ky i fundit u vra më 28 shtator të vitit të kaluar në Ishullin e Lezhës gjatë një aksioni kundër kanabisit.

NJOFTIMI I ILD-së

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka finalizuar hetimin disiplinor, të nisur me iniciativë, ndaj magjistratëve F.G., me detyrë prokuror i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe M.L., për periudhën e ushtrimit të detyrës, si prokuror drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë. Hetimi disiplinor ka filluar mbi bazën e informacionit të paraqitur në media, lidhur me ngjarjen tragjike të datës 28.09.2021, ndodhur në qytetin e Lezhës, ku si pasojë e veprimeve të kryera nga shtetasi A.R, ka humbur jetën, oficeri i policisë S.H. Në median e shkruar dhe atë vizive janë pasqyruar informacione të cilat lidhen me historinë problematike të autorit të vrasjes dhe përballjen e tij me organet e drejtësisë.
Në analizë të dokumentacionit të administruar në kuadër të këtij procesi hetimor, ILD konkludon se:

  • Si rezultat i veprimeve dhe mosveprimeve në mospërmbushje të detyrës funksionale, si prokuror gjatë hetimeve paraprake, F.G., ka shkaktuar dorëzimin e akteve të procedimit penal në gjykatë në tejkalim të afatit të paraburgimit për të pandehurin, c’ka ka sjellë për pasojë konstatimin nga ana e gjykatës, të shuarjes së masës së sigurimit “arrest në burg” ndaj të pandehurit A.R. dhe caktimin ndaj tij të masës së sigurimit “arrest në shtëpi”.
    •Kjo sjellje përbën mospërmbushje të detyrës së prokurorit, të cilit i është dhënë atributi kushtetues për të ushtruar ndjekjen penale dhe kontrolluar hetimet paraprake, me qëllim dërgimin e çështjes në gjykatë, në respektim të afateve ligjore procedurale penale.
    •Prokurori M.L., pa shkaqe të arsyeshme ka lejuar moszbatimin e Udhëzimit të detyrueshëm të Prokurorit të Përgjithshëm, duke sjellë për rastin e kësaj çështje penale, konfuzion për kohën e dorëzimit të akteve nga prokurori i çështjes dhe në vijim në gjithë zinxhirin e hallkës së funksionimit administrativ në prokurori për kalimin e akteve në gjykatë.
    •Kjo sjellje e prokurorit M.L., përbën mospërmbushje të detyrës, duke cënuar pozitën dhe figurën e një drejtuesi prokurorie, që si prokurori më i lartë për të gjithë prokurorët e zyrës që drejton, duhet të respektojë ai i pari udhëzimet e një prokurori më të lartë.
    •Veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e magjistratëve F.G. dhe M.L., përbëjnë shkelje disiplinore të lehtë, sipas nenit 102, pika 1, shkronja “l” e ligjit me nr. 96/2016.
    Për sa më sipër i kërkohet KLP-së, pranimi i kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike” ndaj magjistratit F.G., me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë për shkeljen disiplinore të parashikuar nga neni 102, pika 1 shkronja “ç” dhe “dh” të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; dhe caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike”, për magjistratin M.L., aktualisht prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për shkeljen disiplinore të parashikuar nga neni 102, pika 1 shkronja “l” të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.