Vendosni fjalën kyçe....

Policia përhap panik pak orë para protestës: Kemi informacione shqetësuese


Për herë të parë Policia e Shtetit del me një deklaratë pak orë para protestës së opozitës, duke përhapur panik. Zëvendës drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj tha se policia ka informacione shqetësuese lidhur me protestën.

Hajnaj u bëri thirrje pjesëmarrësve në protestë që të mos tejkalojnë kufijtë e ligjit dhe protesta të jetë paqësore.

Nuk tregoi se cilat ishin këto “informacione shqetësuese”, ose të paktën nuk dha informacione të reja. Hajnaj tha se ka patur protestues me precedentë të rëndë penale në protestën e 2 qershorit, u kërkoi qytetarëve jo-protestues të mos kalojnë në perimetrin e protestës, u kërkoi dhe organizatorëve të largojnë protestuesit me maska dhe mjete të forta në duar.

 “Sot disa forca politike kanë thirrur një tubim proteste. Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të garantuar lirinë demokratike të tubimit dhe njëkohësisht ka kërkuar bashkëpunimin e organizatorëve për të shmangur dhunën gjatë saj. Për shkak të informacioneve shqetësuese që Policia disponon, në vazhdën e protestave të shkuara të të njëjtave subjekte politike, u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve të mos tejkalojnë kufijtë e ligjit.

Po ashtu, nisur nga ngjarja e rëndë e protestës së kaluar, ku protestues të dhunshëm goditën me shufra metalike protestues paqësorë, u bëjmë thirrje organizatorëve të largojnë nga turma njerëz me maska apo me mjete të forta në duar, duke ia dorëzuar menjëherë Policisë. Policia e Shtetit ka konstatuar me shqetësim se mes të ndaluarve në protestat e shkuara ka individë me precedentë të rëndë penale, siç ishte rasti i njërit prej dhunuesve të dy protestuesve paqësorë, i dënuar për trafik ndërkombëtar droge.

I bëjmë thirrje të drejtpërdrejtë organizatorëve, të marrin të gjithë përgjegjësinë e tyre për moslejimin e devijimit të protestës.

Po ashtu ri-kujtojmë se përdorimi i mjeteve piroteknike është jo vetëm i paligjshëm, po edhe tejet i rrezikshëm për shëndetin e jetën e punonjësve të Policisë dhe qytetarëve.

Policia e Shtetit do t’i qëndrojë strikt parimit demokratik të proporcionalitetit dhe është e përgatitur të reagojë në proporcion të plotë, me çdo akt dhune. Po ashtu u kërkojmë qytetarëve të Tiranës, që nuk janë të interesuar për protestën, të shmangin lëvizjet në perimetrin e protestës së sotme, e cila do të jetë nën monitorimin e plotë të Policisë së Shtetit”, tha Hajnaj.

Protesta e sotme do të jeta protesta e tetë kombëtare e opozitës, e cila kërkon krijimin e një qeverie tranzitore, pa Edi Ramën dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *