Vendosni fjalën kyçe....

Pajisja e re e kontrolluar nga inteligjenca artificiale ndihmon njerëzit e paralizuar të lëvizin


Tre pacientë të paralizuar plotësisht nga beli e poshtë për shkak të dëmtimit të pariparueshëm të shtyllës kurrizore, rifituan aftësinë për të lëvizur sërish me ndihmën e një pajisjeje të re stimuluese nervore.

Shkencëtarët nga Instituti Federal Zviceran i Teknologjisë në Lozanë raportuan të hënën se tre burra të moshës 29, 32 dhe 41 vjeç, të paralizuar pas aksidenteve me biçikletë, ishin në gjendje të hidhnin hapat e tyre të parë brenda një dite të vetme pas vendosjes së pajisjes.

Në muajt në vijim, ata mundën të përfshiheshin në veprime fizike më të përparuara, duke përdorur pajisjen e telekomanduar që është përshtatur në mënyrë specifike për çdo pacient dhe bazuar në algoritme të inteligjencës artificiale. Rezultatet e këtij studimi u publikuan në revistën Nature.

“Brenda një dite të vetme, programet nxitëse specifike u mundësonin këtyre tre individëve të qëndronin në këmbë, të ecnin, të bënin çiklizëm, të notonin dhe të kontrollonin lëvizjet e trungut. Neurorehabilitimi ndërmjetësoi një përmirësim të mjaftueshëm duke hapur një rrugë të vërtetë për të mbështetur lëvizshmërinë e përditshme te njerëzit me SCI (dëmtim të palcës kurrizore),” pohoi artikulli.

Gregoire Courtine dhe Jocelyne Bloch, drejtues të ekipit kërkimor, kanë ndihmuar gjithashtu në krijimin e një kompanie teknologjike për të zhvilluar prodhimin komercial të pajisjes.

Ata presin të fillojnë një provë në shkallë të gjerë që përfshin deri në 100 pacientë brenda një viti, raportoi Reuters.