Vendosni fjalën kyçe....

Lavrov: Përgjigja e SHBA-ve ndaj propozimeve tona nuk mund të na kënaqë


Përgjigja e Uashingtonit ndaj propozimeve të Rusisë për garancitë e sigurisë nuk mund të kënaqë Moskën. Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov pas një takimi me presidentin Vladimir Putin të hënën.

“Përgjigja e SHBA përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e parë i përgjigjet tre problemeve tona kryesore që kemi identifikuar: moszgjerimi i NATO-s, mosvendosja e armëve goditëse që na kërcënojnë dhe, në përgjithësi, kthimi i ushtrisë dhe konfigurimi ushtarako-teknik në Evropë në pozicionet e vitit 1997, kur u nënshkrua Akti Themelues Rusi-NATO, në të cilin për herë të parë në këtë format u shpreh detyra për të garantuar pandashmërinë e sigurisë.”- tha ministri i Jashtëm, citon TASS. “Përgjigja për këto pyetje është negative. Sigurisht, kjo nuk mund të na kënaqë.”

Rusia ka analizuar me kujdes përgjigjet e marra nga SHBA dhe NATO ndaj propozimeve të Moskës për garancitë e sigurisë.

“Më 25 janar na dërguan përgjigje, përgjigjen e SHBA-së dhe përgjigjen e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ne i studiuam me kujdes bashkë me kolegët tanë në një format ndërinstitucional. Përgjigja e SHBA-ve në radhë të parë na intereson, sepse të gjithë e kuptojnë se kush luan rolin kryesor në zgjidhjen e këtyre çështjeve në kampin perëndimor.” – tha ministri i Jashtëm.

Sipas Lavrov, Rusia do të vazhdojë të bëjë presion ndaj homologëve të saj perëndimorë për përgjigjet e pyetjeve të ngritura nga Moska në lidhje me garancitë e sigurisë, duke zhvilluar njëkohësisht dialogun për aspekte të tjera të kësaj teme.

“Ne, duke zhvilluar një dialog për disa aspekte që janë me rëndësi praktike sot me kolegët tanë perëndimorë, në radhë të parë amerikanë, do të kërkojmë njëkohësisht përgjigje prej tyre për pyetjet legjitime që kemi ngritur.”– tha ai.