Vendosni fjalën kyçe....

Rafineria u çua për “skrap”, qeveria merr vendimin për naftëtarët e Ballshit: Pagë minimale çdo muaj përgjatë vitit


Pasi rafineria u dërgua “për skrap”, qeveria ka vendosur që këtë vit të paguajë të gjithë naftëtarët dhe ish-naftëtarët e Rafinerisë së Ballshit me pagë minimale. 

Pas mbledhjes së sotme të qeverisë, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, iu bëri thirrje të gjithë naftëtarëve dhe ish-naftëtarëve, që të paraqesin dokumentet e nevojshme pranë zyrave të punës, në mënyrë që të përfitojnë pagesën mujore përgjatë vitit 2022.

“Miratuam një vendim shumë të rëndësishëm, që ka të bëjë me mbështetjen sociale për punonjësit dhe ish-punonjësit e Rafinerisë së Ballshit.

Do të ketë një pagesë, të barabartë me pagën minimale, përfshirë dhe kontributet shoqërore e shëndetësore, që do u jepen ish-punonjësve të Rafinerisë së Ballshit.

Ftoj të gjithë punonjësit dhe ish-punonjësit e kësaj rafinerie që t’i drejtohen zyrave të punës, me qëllim dërgimin e dokumentacionit, për të përfituar këtë ndihmë, që do të jepet në bazë mujore përgjatë vitit 2022.”- tha ministrja e Financave pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Kujtojmë se naftëtarët e Ballshit kanë zhvilluar vazhdimisht protesta muajt e kaluar duke kërkuar 13 rrogat e prapambetura si dhe ndalimin e planeve për prishjen e rafinerisë.

Të shumtë kanë deklaruar se nuk do lejojnë që “uzina të prishet e të shitet për skrap”.