Vendosni fjalën kyçe....

PD publikon videon: Berisha kandidoi në Dibër bashkëshortin e prokurores që nuk hetoi ‘Dosjen 184’, bashkëpunimi me Ramën e Metën i qartë


Partia Demokratike ka denoncuar kandidimin në Dibër nga koalicioni ‘Shtëpia e Lirisë’, pjesë e të cilit janë Komisioni i Rithemelimit të PD-së, LSI e PDK të Premtim Kryemadhit.

Sipas selisë blu, kandidimi i personit në fjalë tregon për bashkëpunimin e qartë mes Berishës, Metës e Ramës.

PD thekson se Premtim Kryemadhi është bashkëshorti i prokurores Belina Zeneli dhe atë nuk e lidh asgjë me demokratët.

Në denoncimin e selisë blu thuhet se prokuroria Zeneli, ka pasur në dorë Dosjen 184 për zgjedhjet në Dibër dhe duke mos hetuar atë ka mbrojtur bandën e Edi Ramës.

Sipas PD-së, nëse prokurorja Zeneli do e kishte hetuar dosjen në fjalë, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja do ishte në burg sot.

“Kandidimi në Dibër i bashkëshortit të prokurores që mbrojti bandën e Edi Ramës, duke mos hetuar dosjen 184 të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër, është poshtërsi dhe tallje me dibranët dhe demokratët dibranë që masakrën zgjedhore e provuan të parët në 2016. Premtim Kryemadhin nuk e lidh asgjë me demokratët, por përzgjedhja e tij sqaron më së miri komunikimin privat të Flamur Nokës me Ulsi Manjën. Nëse bashkëshortja e Kryemadhit do të hetonte dosjen 184, Ulsi Manja do ishte në burg. Tashmë skema e bashkëpunimit Rama-Meta-Berisha është e qartë për çdo shqiptar. Po zgjodhe Sali Berishën e Ilir Metën mban Edi Ramën. Nëse zgjedh Edi Ramën mban Sali Berishën dhe Ilir Metën.” – thuhet në denoncimin e PD-së.

Prokurorja Belina Zeneli u shkarkua pak ditë më parë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë pas një kërkese të depozituar në ILD nga Prokurori i Përgjithshëm.

Nga hetimi disiplinor ndaj prokurores në punën e saj në vitet 2013-2021 ka rezultuar se veprimet e shkeljet e saj kanë sjellë pasoja në dhënien e drejtësisë e kanë cenuar imazhin e prokurorisë.

Në raportin e ILD-së thuhet se prokurorja Zeneli nuk u ka dhënë zgjidhje ligjore 33 procedimeve penale si dhe nuk ka kryer asnjë verifikim lidhur me 300 kallëzime.