Vendosni fjalën kyçe....

“Karvani i Lirisë”, çfarë dihet deri tani për lëvizjen që po trondit Kanadanë


Pas një udhëtimi njëjavor nga provinca British Columbia, një grup shoferësh kanadezë kamionësh – të quajtur “Karvani i Lirisë” – u nisën në të gjithë vendin drejt Otavas, kryeqyteti kombëtar që ndodhet në provincën lindore të Ontarios të shtunën.

Ata dominojnë tashmë kryeqytetin dhe mbarë vendin, duke hedhur një hije të gjatë mbi diskursin politik si në vend ashtu edhe më gjerë.

Dhjetëra mijëra kamionistë dhe mbështetës, vazhdojnë të protestojnë kundër vaksinave të detyrueshme, pasaportës së vaksinave e kufizimeve të tjera lidhur me Covid-19. Çfarë dihet deri tani për ‘Karvanin e Lirisë’.

1. Çfarë e nisi saktësisht ‘Karvanin e Lirisë’?

Deri në mesin e janarit, shoferët e kamionëve ndërkufitarë në Kanada ishin të përjashtuar nga kërkesat për vaksina, që do të thotë se ata mund të udhëtonin në SHBA dhe të ktheheshin pa pasur nevojë të vërtetonin statusin e vaksinimit. Pasi qeveria vendosi një detyrim për karantinë për shoferët e pavaksinuar, një grup kamionistësh në Kanadanë perëndimore organizoi një lëvizje për të protestuar në Otava.

Lëvizja mori vrull dhe mbështetje publike ndërsa udhëtonte drejt lindjes. Ajo fitoi gjithashtu mbështetjen e atyre që janë kundër qeverisë liberale të kryeministrit Justin Trudeau dhe të të grupeve që janë kundër vaksinimit të detyrueshëm, të frustruar nga kufizimet pandemike që ata i shohin si ‘tejkalim politik’. Sipas një deklarate nga organizatorët, karvani kërkon që qeveritë federale dhe provinciale të heqin pasaportat e vaksinave dhe të gjitha ‘programet e tjera të detyrueshme të gjurmimit të kontakteve të vaksinave’ dhe ‘të heqin vaksinimet me detyrim si dhe pasaportat e gjelbra Covid-19’.

2. A ka vërtet mijëra kamionë në rrugë?

Në deklaratën e saj të mërkurën, organizatorët thanë se ‘ndonëse kolona fillestare u llogarit të kishte 1,600 kamionë, ky numër u rrit ndjeshëm në 36,000 kamionë në vetëm disa ditë. Tani vlerësohet se numri i kamionëve të mëdhenj që kanë shkuar në Otava është mbi 50,000.

Megjithatë, mediat kombëtare dhe organet e zbatimit të ligjit kanë raportuar se pjesë e karvanit ishin vetëm disa qindra kamionë. Disa përllogaritje kanë shtuar edhe makinat private që gjithashtu me sa duket janë ngjitur me karvanin. Sipas Aleancës Kanadeze të Kamionëve vaksinimi i detyrueshëm do të prekte rreth 16,000 shoferë pasi pretendon se midis 85-90% e 120,000 kamionistëve ndërkufitarë të vendit janë goditur tashmë nga kjo gjë.

3. A kanë kamionistët mbështetje popullore?

Gjatë javës së kaluar, videot në platformat e mediave sociale dhe pamjet e lajmeve kanë treguar kamionë dhe automjete të tjera që udhëtojnë përgjatë autostradave dhe rrugëve të qytetit, të brohoritura nga turma njerëzish të mbledhur në anë të rrugëve dhe mbikalimeve.

Grupe të mëdha njerëzish kanë valëvitur flamujt kanadezë dhe kanë mbajtur lart tabela që kritikojnë Trudeau dhe politikat e tij. Organizatorët kanë pohuar se ‘kanë mbështetjen e miliona kanadezëve nga i gjithë vendi’. Ndërsa autoritetet nuk kanë publikuar shifra në lidhje me numrin e njerëzve që mbërritën në Otavë, burimet e policisë lokale u thanë mediave se turmat në zonën e qendrës së kryeqytetit dhe në zonën e Parlamentit ishin të ngjashme me ato që shiheshin gjatë tubimeve të mëdha në festat e mëdha publike – zakonisht në dhjetëra mijëra.

Raportet në mediat kanadeze kanë vënë në pah gjithashtu turmat që mblidheshin për mitingje lokale që po mbaheshin në vende të ndryshme në mbështetje të Karvanit të Lirisë. Një tjetër metrikë që la të kuptohet për popullaritetin më të gjerë të lëvizjes është një fushatë GoFundMe që ka parë mbi 7 milionë dollarë amerikanë të mbledhura nga mbi 108,000 njerëz gjatë javës së kaluar.

Megjithatë, demonstrata e kamionistëve ka nxitur gjithashtu kritika nga ata që i konsiderojnë pjesëmarrësit e saj si ‘të djathtë’ dhe që përhapin ‘dezinformata’. Policia e Otavës u ka thënë mediave se po përgatitej për kundërprotesta dhe se ata kanë marrë një ‘kërcënim të drejtpërdrejtë’ ndaj oficerëve nga një individ i paspecifikuar.

Zyrtarët kanë paralajmëruar gjithashtu se disa grupe ‘ekstremiste’ mund të përpiqen të përfitojnë nga protesta masive, me liderin e Partisë së Re Demokratike që shkon deri aty sa thotë se disa ‘elementë’ po ‘përpiqen ta kthejnë autokolonën në një version kanadez të sulmeve terroriste në Kapitolin e SHBA’.

4. Sa do zgjasë protesta e kamionistëve?

Kamionistët nuk e kanë caktuar ende fundin e protestës së tyre duke e lënë të hapur kohëzgjatjen e saj. Protestuesit kishin planifikuar të fushonin në Otava për të paktën fundjavën, por burimet policore kanë sugjeruar se tubimi mund të vazhdojë edhe javën e ardhshme.

5. A ka qenë paqësore protesta e ‘Konvojës së Lirisë’ në Otavë?

Forcat policore të qytetit thuhet se janë shtuar nga oficerë nga pjesë të tjera të provincës, si dhe anëtarë të komunitetit të sigurisë kombëtare dhe inteligjencës për të ndaluar trazirat e mundshme. Shefi i policisë së Otavës, Peter Sloly, e kishte përshkruar situatën të premten si ‘unike, rrjedhëse, të rrezikshme dhe domethënëse’ dhe paralajmëroi për kërcënimet nga persona të ndryshëm të dhunshëm që mund të kenë depërtuar në turmë. Ai paralajmëroi gjithashtu ‘aktorët e mediave sociale’ të cilët ‘po nxisin urrejtje, dhunë dhe në disa raste kriminalitet’.

Megjithatë, asnjë dhunë, arrestime apo lëndime nuk është raportuar nga autoritetet deri më tani dhe organizatorët e kolonës kanë thënë se ‘lëvizja është një protestë paqësore’ dhe ‘nuk fal asnjë akt dhune’. Në një deklaratë të premten, organizatorët e ‘Karvanit të Lirisë’ u kërkuan pjesëmarrësve që ‘të trajtojnë të gjithë policët me respekt’ dhe ‘të mos bëjnë asnjë lloj kërcënimi’.

6. Ku ndodhet Justin Trudeau gjatë kësaj periudhe?

Kryeministri Trudeau dhe familja e tij janë zhvendosur në një vend sekret të sigurt në Otava që të shtunën për shkak të shqetësimeve të sigurisë. Disa kamionë në kolonë shfaqnin slogane dhe shenja të tilla si ‘F*ck Trudeau’, me protestuesit që me sa duket përdorën si thirrje për t’u tubuar, deklaratën e mëparshme të kryeministrit se lëvizja përfaqësonte një ‘pakicë të skajshme’ që ngrinte ‘pikëpamje të papranueshme’.

Disa thuhet se kanë bërë thirrje që Trudeau të akuzohet për tradhti. Në një nga intervistat e tij të fundit para se të zhvendosej, Trudeau shprehu shqetësimin të premten për potencialin e dhunës, duke pretenduar se lëvizja është ‘shndërruar në diçka shumë më të madhe’ por ishte ende ‘një grup shumë i vogël, shumë i zemëruar, aqë po përpiqej të sulmonte’.

7. Çfarë thuhet jashtë Kanadasë për protestën e kamionistëve?

Shkalla dhe shtrirja e pazakontë e protestës ka tërhequr vëmendjen e publikut jashtë vendit. Ish-presidenti i SHBA Donald Trump lavdëroi pjesëmarrësit e kolonës në një tubim në Teksas të shtunën, duke vënë në dukje se ata ‘po bënin më shumë për të mbrojtur lirinë amerikane sesa vetë udhëheqësit tanë deri tani’.

Individë të tjerë të shquar që kanë folur në mbështetje përfshijnë CEO-n e Tesla-s, Elon Musk, podkasterin Joe Rogan dhe komedianin Russell Brand. Reagimet nga disa ekspertë liberalë dhe media amerikane kanë qenë kryesisht negative, me disa opinione që lidhin kamionistët protestues me grupet e ekstremit të djathtë, ideologjitë supremaciste të bardhë dhe dezinformimin e Covid. Ëashington Post ka botuar një artikull opinioni që i bën thirrje Kanadasë që të ‘përballet dhëmb për dhëmb me ‘Karvanin e Lirisë’ toksike.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani