Vendosni fjalën kyçe....

Fëmijës tre-vjeç i refuzohet operacioni në zemër nga tre vende, për shkak të prindërve të pavaksinuar


Një djalë tre vjeçar nga Qiproja është dërguar në Greqi për një operacion urgjent, pasi mjekët në Gjermani refuzuan ta trajtonin fëmijën. Kjo për shkak se prindërit e tij nuk ishin vaksinuar kundër Covid-19.

Të hënën u raportua se djali kishte qenë në pritje të një operacioni urgjent pasi u transportua me ambulancë në Greqi gjatë fundjavës. Djali, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ishte shtruar në spital me një sëmundje të rëndë të zemrës.

Megjithatë, më vonë doli se kishte pasur një ndërlikim tjetër dhe se fëmija ishte diagnostikuar me pneumoni virale me mbërritjen në Athinë. Sekretarja e përhershme e ministrisë së shëndetësisë qipriote, Christina Yiannaki tha se djali ishte pranuar në kujdesin intensiv.

Fëmija, i cili është nga një familje ruse, iu anulua fluturimi për në Frankfurt javën e kaluar pasi u zbulua se prindërit e tij nuk ishin vaksinuar. Ai ishte trajtuar në të njëjtin spital atje vitin e kaluar.

Gjithashtu u raportua se fëmija ishte refuzuar nga autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar dhe Izrael, dy vendet ku autoritetet shëndetësore qipriote shpesh i transferojnë operacione të tilla në qendrat e specializuara shëndetësore atje.

Prindërit e fëmijës u vaksinuan të enjten, por do të duhet të presin gjashtë javë përpara se të dhënat e tyre të vaksinimit të njihen jashtë vendit.

Duke folur për shtypin, babai i djalit, Alexey Matveev, një shtetas rus që jeton në Qipro, theksoi kundërshtimin e tij për t’u vaksinuar, duke vënë në dukje se njerëzit e pavaksinuar pranohen në spitale në Gjermani.

“Nuk e dija që duhej të vaksinohesha që fëmija im të operohej në atë spital. Po ta dija sigurisht që do ta kisha bërë… Jam i shëndetshëm dhe nuk doja të vaksinohesha. Më duket e papërshtatshme që dikush që është i shëndetshëm të vaksinohet.”– tha ai, citon RT.

“Ky është shantazh dhe luftë ndaj njerëzve. Jo, nuk është neglizhencë prindërore, thjesht po më vret djalin.”- shkroi ai në një postim në Facebook.

Sekretarja Yiannaki i kundërshtoi komentet e Matveev, duke këmbëngulur se prindërit ishin informuar për nevojën për t’u vaksinuar. Zyrtarët e ambasadës gjermane në Nikosia vunë në dukje se spitalet dhe shtëpitë e të moshuarve kanë të drejtë të kufizojnë aksesin për vizitorët dhe anëtarët e familjes, duke shtuar se “çdo rast duhet të merret parasysh në bazë të meritave të veta”.