Vendosni fjalën kyçe....

‘Akrepi i natës’ – Kapet në Tiranë i riu, akuzohet për 12 vjedhje në Tiranë


Një 33-vjeçar është prangosur në Tiranë pasi akuzohet si autor i një sërë vjedhjesh të kryera në Tiranë.

Në pranga ka rënë i riu me iniciale A.Xh, i dënuar më parë për vjedhje e shitje lëndësh narkotike.

Ai u prangos në kuadër të operacionit të koduar ‘Akrepi i natës’ pasi akuzohet për 12 vjedhje të ndodhura në Tiranë.

Përveç tij policia ka proceduar edhe një person tjetër i cili përvetësonte sendet e vjedhura. Gjatë operacionit janë sekuestruar tre laptopë, tre celularë, tre  biçikleta, një aparat fotografik, një palë syze e sende të tjera.

Njoftimi

“Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Akrepi i natës”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë. Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 3.

Zbardhen dhe dokumentohen 12 raste të vjedhjeve në biznese të ndryshme, vihet në pranga autori i dyshuar. Procedohet penalisht dhe një shtetas tjetër që përvetësonte mallrat e vjedhura. Sekuestrohen tre aparate celulare, tre laptopë, tre biçikleta, një aparat fotografik, një palë syze dhe sende të tjera që dyshohet se autori i përdorte për kryerjen e vjedhjeve. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin “Akrepi i natës”, në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasi:

– A. Xh., 33 vjeç, i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhja” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, dhe i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 2, për vjedhje.

Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi L. Sh., 59 vjeç, për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtari kriminale”.

Shtetasi A. Xh., në kohë dhe vende të ndryshme, gjatë orëve të vona të natës, kryente vjedhje në biznese në zona të ndryshme të Tiranës. Më pas, sendet e vjedhura ia shiste shtetasit L. Sh.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi A. Xh. është autor i 12 rasteve të vjedhjeve të ndryshme, konkretisht:

Më datë 03.01.2022, në rrugën “Prokop Mima”, dyshohet se ka vjedhur një aparat celular dhe një shumë parash në dyqanin me administratore shtetasen B. H.;

Më datë 10.01.2022, në rrugën “Don Bosko”, dyshohet se ka vjedhur në lokalin në pronësi të shtetasit F. K.;

Më datë 12.01.2022, në rrugën “Gjergj Elez Alia”, dyshohet se ka vjedhur një shumë parash dhe disa pajisje në dyqanin e shtetases Xh. D.;

Më datë 15.01.2022, në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu”, dyshohet se ka vjedhur një shumë parash dhe një laptop, në dyqanin e shtetases S. R.;

Më datë 15.01.2022, në rrugën “Reshit Çollaku”, dyshohet se ka vjedhur një laptop në banesën e shtetases O. K.;

Më datë 16.01.2022, në “Rrugën e Kastriotëve”, dyshohet se ka vjedhur një laptop dhe një shumë parash në dyqanin e shtetases B. M.;

Më datë 25.01.2022, në bulevardin” Zogu I”, dyshohet se ka vjedhur një shumë parash dhe disa dokumente, në zyrat e një kompanie;

Më datë 26.01.2022, në rrugën “Mine Peza”, dyshohet se ka vjedhur në dyqanin e shtetasit A. R.;

Më datë 26.01.2022, në “Rrugën e Bogdanëve”, dyshohet se ka vjedhur një shumë parash në dyqanin e shtetasit N. L.;

Më datë 27.01.2022, në rrugën “Bardhok Biba”, dyshohet se ka dy laptopë në studion e shtetasit E. G.;

Më datë 28.01.2022, dyshohet se ka tentuar të vjedhë dyqanin e shtetasit F. K.;

Më datë 29.01.2022, ne rrugën “Gjin Ndue Shpata”, dyshohet se vjedhur një laptop në studion e shetasit L. F.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar tre aparate celulare, tre laptopë, tre biçikleta, një aparat fotografik, një palë syze dhe mjete që dyshohet se autori i përdorte për kryerjen e vjedhjeve. Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.”