Vendosni fjalën kyçe....

Gjiganti amerikan i makinave zbulon planin ‘për të rrëzuar nga froni’ Tesla-n


Gjiganti amerikan i makinave ‘General Motors’ tha se do derdhë 6.6 miliardë dollarë për të rritur prodhimin e mjeteve elektrike dhe ndërtimin e një fabrike të re të baterive të automjeteve elektronike (EV) në Michigan.

Prodhuesi i makinave dëshiron të kalojë Tesla-n si prodhuesi më i madh në botë i automjeteve elektrike.

“Ne do të kemi prodhimet, kapacitetin e baterisë dhe kapacitetin e montimit të automjeteve për të qenë lideri i mjeteve elektrike deri në mesin e dhjetëvjeçarit,” tha CEO-ja e General Motors, Mary Barra, në një deklaratë, siç citohet nga CNBC.

Investimi do të përfshijë 2.6 miliardë dollarë për ndërtimin e një fabrike të re baterish në partneritet me LG Energy Solution dhe 4 miliardë dollarë për shndërrimin e fabrikës ekzistuese të General Motors, Orion Assembly në Detroit për të prodhuar kamionë elektrikë, si Chevrolet Silverado dhe GMC Sierra të planifikuar për hedhjen në treg në vitin 2024.

Fondet e shpallura përfaqësojnë gjithashtu një pjesë të axhendës prej 35 miliardë dollarësh të GM për të rritur kapacitetin e saj të prodhimit në Amerikën e Veriut në 1 milion automjete elektrike deri në vitin 2025. Prodhuesi i makinave parashikon se mund të mundë prodhuesin rival Tesla, si shitësi më i madh i automjeteve elektrike me bazë në SHBA deri në atë kohë.

Kompania gjithashtu u zotua të investojë 510 milionë dollarë shtesë për të përmirësuar dy nga impiantet e saj të montimit të automjeteve jo elektrike në Michigan.

“Michigan do të jetë qendra dhe lideri i njohur i risive në SHBA për Kërkimin dhe Zhvillimin e mjeteve elektrike dhe prodhimin,” tha presidenti i kompanisë, Mark Reuss, gjatë një konference për media.

Megjithatë kompania ka një rrugë të gjatë e të vështirë përpara nëse planifikon të rrëzojë Tesla-n si prodhuesi kryesor i mjeteve elektrike.

Gjiganti i drejtuar nga Elon Musk dorëzoi 936,172 automjete elektrike në mbarë botën vitin e kaluar. Sipas disa vlerësimeve, dërgesat e Tesla në SHBA në vitin 2021 ishin mbi 300,000, ndërsa GM shiti më pak se 25,000 njësi, duke u renditur i treti pas Ford me 27,140 njësi të shitura.