Vendosni fjalën kyçe....

Drejtësia nga ngërçi te Gëllçi


Nga Nevrus Nazarko

Një nga juristët me influencialë të shekullit të 18-te, Sir Ëillaim Blackstone, i famshëm për 4 volumet e tij të titulluara “Komente mbi Ligjet e Anglisë” ka shkruar se principi themelor i drejtësisë anglo-saksone është që “Më mirë 10 persona të fajshëm të deklarohen të lirë, se sa një person i pafajshmë të vuajë”

Ky postulat i drejtësisë angleze, i njohur edhe si “formula Blackstone” është guri i themelit të drejtësisë angleze nga ku i ka rrënjët drejtësia perëndimore, në përgjithësi, përfshirë dhe atë amerikane.

Nga kampi i lindjes, një postulat diametralisht i kundërt me atë anglez, i artikuluar nga Lavrentiy Beria, ministri brendshëm famëkeq i Bashkimit Sovjetik dhe besniku i Stalinit, i cili deklaronte: “ Më sillni një person dhe unë do t’ju gjej një krim”

Pra, është lehtësisht e kuptueshme se ndërsa në themel të drejtësisë anglo-saksone është njeriu dhe vlera e papërsëritshme e jetës njerëzore, në themel të së ashtuquajturës drejtësi lindore e komuniste është pushteti, terrori mbi njeriun e dhuna verbale e fizike.

Fatkeqësisht për 45 vite me radhë, Shqipëria ju nënshtrua dhe aplikoi parimin e Berias, një “drejtësi” ku e ashtuquajtura diktaturë e proletariatit të dënonte njëherë kur lindje, dhe po të ishe pak me më fat kur vendosnin të të arrestonin. Pra, Partia ta kishte shkruar “fajtor” në balle pavarësisht se kishe kryer një krim apo. Për Stalinin, Berian, Lindjen në përgjithesi dhe “apostujt” e tyre, krim ishte edhe po të lindje nga prindër “të gabuar” pra nga ata të cilët ishin damkosur përjetësisht me vulën “fajtor” vetëm se nuk ndanin të njëjtat ide si diktatura.

Me rënien formale të diktaturës, u ngjallen edhe shpresat e shqiptarëve për një drejtësi “të verbër” të paanshme, anglo-saksone, bazuar në parimin e Lordit Blackstone, ku dinjiteti dhe të drejtat themelore të njeriut ishte primare në aplikimin e paanshëm të verdikteve gjyqësore. Çfarë pasoi në 20 e ca vjet, është një metamorfoze e çuditshme, për të qarë e për të qeshur, një amalgamë vendimesh herë të drejta e më shumë të padrejta, ku vrasësit e trafikantët e mëdhenj ose lirohen shpejt kundrejt shumave të majme paguar gjyqtarëve, dhe fukarenjtë që nuk i kane ato mundësi burgosën për mospagim energjie elektrike. Gjyqtarë që u pasuruan në kurriz të ish-pronarëve duke përfituar shuma marramendëse në këmbim të tjetërsimit të pronave legjitime të ish-pronarëve apo shtetit.

Duke parë atë rrëmujë vendimesh ku krimineli lihet i lirë e hallexhiu shpallet i fajshëm, është i kuptueshëm zhgënjimi masiv i popullit, zhgënjim që uluriste për reformë, për ndryshim, jo të shkuarit pas në drejtësinë e para 90’s por për një drejtësi anglo-saksone, perëndimore.

Hapat e parë të reformës në drejtësi dhanë një shpresë fillestare sikur diçka do ndryshonte për mirë. Popullit ju hodh një llokmë entuziazmi, kurse perëndimorët të cilët financuan me fonde dhe “ekpertizë” (skeptiket thonë sorosianë) ngritjen e strukturave të reja, u vunë në rolin e atyre avokatëve që nuk duan të humbasin, kjo ishte “bebja” e tyre, dhe si e tillë, jo vetëm nuk duhej të dështonte por do të ishte trampolina e karrierës së tyre diplomatike. Kjo funksionoi për bukuri, pati një ngërç të pritshëm në vitet 2013-2014, i cili është prevalent edhe sot, ku çështje të rëndësishme, kriminale apo pronësore u bënë kapicë në tryezat e gjyqtarëve të cilët ishin më të preokupuar të kalonin “vettingun” partiak se sa të gjykonin drejtësisht e të jepnin vendimet e duhura. Si dikush që e ka ndjekur nga larg metamorfozën e drejtësisë nga fundi i viteve 90-të, në vazhdim, ky lloj ngërçi apo kolapsi ishte deri diku i pritshëm, pra për 2, 3, apo 4 vjet.

Kjo më sjell te titulli i këtij shkrimi, çështja e “famshme” Gëllci në vitin 2022, jo pak por 9 vjet nga ngjizja e reformës. Kjo cështje, nëse është si po shitet në opinion si një provë se reforma në drejtësi po jep rezultat, po jep efektin e kundërt, atë se si reforma në drejtësi kaloi nga formula e Lordit Blackstone tek postulati i komunistit Beria.

E kam ndjekur me interes këtë çështje prej ditëve të para, për mua është çështje e një shqiptaro- amerikani i cili vendosi të kthehej nga SHBA për të kontribuar në atdhe, si shumë të tjerë që patën atë shtysë, e unë vetë një aspirant të cilit nuk ju realizua dëshira. Ky ishte “versioni i shkruar” të paktën i dëgjuar nga miq e shokë të Thomait. Kam ndjekur me interes edhe progresin e RTSH-së, nga një institucion ku kishte më shumë minj si bujtës të paftuar në zyrat e institucionit se shikues të programeve të RTSH-së, në një TV ku nuk është vështirë të dallohet një progres i dukshëm në programet, cilësinë dhe shikueshmërinë e tij.

Në fakt, doja të mos flisja për këtë çështje pa u shprehur drejtësia, pasi një hije dyshimi ekziston nën një klime tejet të korruptuar shtetërore, ku çdo raport i ndërkombëtarëve, përfshirë edhe DASH-in, na rendit aq poshtë në klasifikim sa do duhej të kishin dhënë dorëheqje nja 4 qeveri në 8 vjet ( po kjo nuk i shërben stabilitetit dhe reformës?!). Pra, le të fliste drejtësia në fillim.

Është vendi të kujtohet se akuza ndaj tij, të paktën çfarë ka publikuar prokuroria deri tash, është shtyrja e një tenderi 800 mijë dollarësh jashtë kufirit të lejuar nga kontrata për një periudhe dy-javore. Po në fakt le të supozojmë se nuk është veç kjo, por më keq dyshohet se ai ka përvetësuar të gjithë tenderin (praktikisht dhe logjistikisht e pamundur kjo), por le të themi se është kjo.

Një lajm i datës 28 Janar bënte të ditur se Gjykata e Lartë refuzoi kërkesën e Gëllçit për t’u gjykuar në gjendje të lire. Vini re, e vetmja gjë e cila ai kërkoi në këtë faze, ishte të gjykohet i lirë. Një praktikë kjo jo vetëm e ligjëruar por edhe e zbatuar gjerësisht. Shembuj në Shqipëri ka plot, qysh nga ditët e para të viteve 90-të, Saimir Tahiri, Sali Berisha, Ilir Meta, Edi Rama, Lulzim Basha, Fatmir Mediu, e qindra të tjerë pushtetarë. Edhe njëherë, këta mund të jenë të pafajshëm apo fajtorë, por fakti është që janë akuzuar për shumë më tepër se ish-drejtori i RTSH-së. Më tutje, shembuj konkretë ka edhe në SHBA, ku një dyzinë personash të lidhur me Trump dhe fushatën e presidencën e tij, u akuzuan, gjykuan në gjendje të lirë dhe morën dënimet përkatëse pas një procesi gjyqësor të rregullt. Mjafton të përmendim Steve Bannon, Michael Flynn, Paul Manafort, George Papadopoulos etj, etj. Të gjithë, të akuzuar për çështje korruptive, civile, u gjykuan në gjendje të lirë.

Çfarë e pengon gjykatën të pranojë kërkesën e Gëllçit për t’u gjykuar i lirë? Nëse u arrestua nga prokuroria pa prova, kjo na çon në formulën e Berias, më sillni njeriun e unë do ju gjej krimin, nëse është arrestuar pas provave të gjetura, atëherë le të provohen nga prokuroret e të certifikohen nga drejtësia e re.

Imagjinoni për një çast sikur gjyqi eventual do e nxjerrë të pafajshëm. Si i kthehet familjes dhe atij vetë kjo periudhë?

Po ashtu, le të themi se ai lejohet të gjykohet në gjendje të lire, si mund ta pengojë drejtësinë dhe provat? Tenderi nuk zhbëhet më, as paratë nuk kthehen më në burim nëse janë përvetësuar. Drejtësia e re, ma ha mendja, ka parashikuar raste të interferimit me provat dhe dëshmitarët, krime të cilat dënohen rëndë, të paktën në perëndim.

Në vend të mbylljes:

Unë nuk e kam idenë nëse Gëllçi është fajtor apo jo, kjo përgjigje i takon atij, prokurorisë, avokatëve, dhe gjykatësve të kësaj çështjeje. Por unë di se një Thoma në liri të përkohshme është zbatimi i parimit “i pafajshëm deri sa të shpallesh fajtor” dhe si i tille ai duhet të jetë i lirë, qoftë edhe përkohësisht. Nëse Thomait i privohet liria deri sa prokuroria “të mbledhë provat” që i duhen për Gëllçin, unë nuk gjej dot shembull më të saktë që t’i përshtatet postulatit të Berias: “Më sillni Gëllçin, t’ju gjej krimin” ose versionit vetingas: “Mbani në burg Gëllçin, të tejkalojmë ngërçin” Vendimi shterues i Gjykatës së Lartë në 28 Janar, në lidhje me këtë le një shije të hidhur dhe një mjegullnajë që ndihmon skeptiket dhe kundërshtarët e reformës së sipërpërmendur!