Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj reagon pas audios ku përdorte një fjalor vulgar: U qëndroj një për një atyre që kam thënë në atë palo përgjim të FSHF-së



Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka reaguar pas audios së publikuar nga Federata Shqiptare e Futbollit paraditen e sotme, ku ai dëgjohej të fliste me një fjalor vulgar.

Veliaj thotë se se u qëndron të gjitha atyre që ka thënë në audio pasi sipas tij FSHF në vend të garantimit të barazisë së garës, ka zgjedhur rrugën e përgjimeve dhe të shantazhit për të ruajtur pozitat e krtetarit Armando Dukës.

Veliaj shprehet se Bashkia e Tiranës është aksionere e Klubit të Futbollit “Tirona”, ndaj askush nuk duhet të ngatërrojë përkatësinë e tij në PS me përfshirjen që i takon si aksioner në këtë proces zgjedhor në FSHF.

“U qëndroj një për një atyre që kam thënë në atë palo përgjim të Federatës së Futbollit, e cila në vend se të garantojë barazinë e garës për kreun e saj, angazhohet në përgjime dhe shantazhe për llogari të beut të saj!
Bashkia e Tiranës është aksionere e Klubit të Futbollit ‘Tirona’, prandaj askush të mos ngatërrojë përkatësinë time në PS me përfshirjen time si aksioner në këtë proces zgjedhor të manipuluar nga beu i FSHF-së, apo të nxjerrë jashtë konteksti një bisedë djemsh, si në çdo fushë futbolli para ndeshjes!
‘Pavarësia’ e FSHF-së nuk mund të jetë gjethe fiku për një mbret lakuriq që është kthyer në neverinë e aksionerëve e dashamirësve të futbollit shqiptar, i cili thjesht nuk e ka pëlqimin tonë si një prej aksionerëve.”-
thuhet në reagimin e Veliajt.

Kjo deklaratë vjen si reagim pas audios së publikuar më herët nga FSHF, ku Veliaj dëgjohej duke shantazhuar anëtarët e shoqatës Tirana dhe duke përdorur një fjalor vulgar ndaj tyre.