Vendosni fjalën kyçe....

Gazetarët europianë i bojkotojnë konferencën për shtyp Macronit dhe Metsolës (VIDEO)


Korrespondentët evropianë dolën sot nga salla e konferencës për shtyp të Parlamentit të BE-së në Strasburg pasi presidentja e sapozgjedhur, Roberta Metsola dhe presidenti francez Emmanuel Macron refuzuan që ata t’u bënin pyetje.

Gazetarët sqaruan në Twitter arsyet e zhgënjimit të tyre.

“Pas më shumë se pesë orësh të Macronit në seancë plenare, të dëgjosh Metsolën dhe atë të përsërisin deklaratat për shtyp pa pyetje është humbje kohe.”– shkroi korrespondentja e “Financial Times” Mehreen Khan.

Ajo pretendoi se konferenca për shtyp ishte krijuar qartë vetëm për t’i dhënë Metsolës mundësinë për të bërë një foton me presidentin francez “me flamujt e bukur”.

Korrespondentja e Brukselit për agjencinë spanjolle të lajmeve EFE, Laura Zornoza, tha se Macron ishte paraqitur me një orë vonesë në sallën e shtypit, vetëm për të bërë një deklaratë dhe për të mos pranuar asnjë pyetje.

“Çfarë mungesë respekti për gazetarët, kohën dhe punën tonë.”- ka shkruar ajo, duke shtuar se “Macron, si shumë të tjerë, shumë lehtë bën plot biseda për lirinë e shtypit… por më pas shihet se përgjigjja ndaj gazetarëve është më e vështirë.”

Gazetarja e Bloomberg, Jillian Deutsch, theksoi më tej zhgënjimin e gazetarëve, duke vënë në dukje se ata duhej të prisnin për orë të tëra vetëm për të dëgjuar se udhëheqësit nuk do të pranonin pyetje.

Macron ishte në Strasburg për të paraqitur objektivat e tij për presidencën gjashtëmujore të parlamentit francez.