Vendosni fjalën kyçe....

Rrjedhin në internet të dhënat personale të 533 milionë përdoruesve të Facebook-ut


Një mori e të dhënave personale, përfshirë emrat e plotë, numrat e telefonit dhe postat elektronike të 533 milionë përdoruesve të Facebook-ut thuhet se kanë rrjedhur në internet. Gjiganti i mediave sociale e zvogëloi incidentin, duke pretenduar se të dhënat ishin “të vjetra”.

Një bazë e të dhënave e madhe që qarkullonte më parë privatisht, tani është botuar në një forum hakerash falas, sipas Business Insider, që e dha i pari lajmin. Baza e të dhënave prek njerëz nga 106 vende, duke përfshirë më shumë se 32 milionë amerikanë, rreth 11 milionë britanikë dhe 6 milion indianë.

Dosja me sa duket përmban informacione të ndjeshme duke filluar nga postat elektronike dhe numrat e telefonit, te emrat e plotë, ID-të e Facebook-ut dhe biografitë. Media verifikoi vërtetësinë e disa prej të dhënave duke përputhur numrat e telefonit me ID-të e listuara në bllokun e të dhënave.

Gjiganti i mediave sociale, megjithatë, beson se ka pak arsye për t’u shqetësuar, pasi të dhënat duket të jenë të paktën disa vjet të vjetra dhe një pjesë e një rrjedhjeje të raportuar më parë, shkruan RT.

Një ekspert i sigurisë kibernetike që zbuloi të dhënat e rrjedhura, Alon Gal, beson se e vërteta mud të mos jetë aq e thjeshtë sa pretendon gjiganti i teknologjisë. Një zyrtar kryesor i teknologjisë në firmën e inteligjencës për krimin kibernetik, Hudson Rock, tha se të dhënat mund të përdoren lehtësisht me qëllim të keq në skema të ndryshme krimi apo mashtrimi.

Në dhjetor 2018, Facebook u detyrua të “kërkojë falje” pasi një defekt në programin e kompanisë u dha aplikacioneve të palëve të treta qasje në fotot e gati 7 milionë përdoruesve. Incidenti ndodhi vetëm disa muaj pasi hakerat kishin hyrë në të dhënat e 29 milionë përdoruesve.

Në maj të vitit 2019, një bazë të dhënash që përmbante hollësi dhe të dhëna të më shumë se 49 milionë personave që përdorin Instagram-në pronësi të Facebook, u zbulua nga një kompani indiane e marketingut, ndërsa në shtator 2019, rreth 419 milionë numra telefoni të lidhur me llogaritë e Facebook u lanë të ekspozuara në një server të pambrojtur.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *