Vendosni fjalën kyçe....

Yuri Kim: Ka persona që nuk duan funksionimin e Reformës në Drejtësi sepse përfitojnë nga ajo


Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim foli në një intervistë për emisionin “Now” në Euronews Albania ku tha se procesi i reformës në drejtësi ka qenë i vështirë dhe mungonin gjyqtarët, megjithatë, këto sfida sipas saj u kaluan me sukses.

Ambasadorja Yuri Kim tha më tej se ka shumë njerëz që do të donin që Reforma në Drejtësi të mos funksiononte, sepse përfitojnë nga kjo.

Reforma në Drejtësi nuk ka qenë e lehtë. Por mendoj se nëse shikoni faktet po bëhet përparim. Mendoj se janë dhimbjet e rritjes. Në këto 5 vite, vitet e para kanë qenë të vështira. Kështu për 3 vite Gjykata Kushtetuese nuk funksiononte. Vitin e kaluar të gjithë institucionet përkatëse, kontribuuan për të sjellë më shumë gjykatës në Gjykatën Kushtetuese. Tani funksionon. Këtë vit do të shohim më shumë gjykatës të emëruar. Reforma në Drejtësi besoj se ka shumë njerëz që nuk do të donin të funksiononte, sepse është shumë mirë siç është, përfitojnë nga kjo”, u shpreh ambasadorja.

E pyetur nga gazetarja Elra Mëhilli se cilët janë persona qw nuk duan qw reforma tw funksionojw, Ambasadorja Yuri Kim u shpreh:“Mendoj se nuk janë qytetarët e thjeshtë. Mendoj që shqiptarët e zakonshëm e duan Reformën në Drejtësi të zbatuar. Kur panë vitin e kaluar zyrtarë të arrestuar nga SPAK thanë që reforma po funksionon. Besoj se ata meritojnë më shumë. Mendoj se kanë të drejtë të vijojnë trysninë te të gjithë politikanët dhe institucionet e drejtësisë”.

Ambasadorja theksoi se Reforma në Drejtësi nuk duhet bërë një çështje partiake, pasi është një cështje kombëtare. Sipas saj, kur SHBA shikon një numër të madh të rasteve në sistemin në drejtësi, nëpërmjet USAID dërgon zyrtarë të uljes së stokut, që kontribuojnë jo pak në punën e gjyqtarëve.

Mendoj se ata që janë kritikë të zbatimit të Reformës në Drejtësi ngrenë disa pika me vend. Mendoj se pjesë e një reforme kaq të madhe si kjo është të dëgjosh kritikat. Të mos mendojmë se kemi të drejtë gjatë gjithë kohës, e askush të mos flasë. Këtë e shohim si pjesë e procesit. Kur shohim probleme nuk përpiqemi të gjejmë fajtorin. Në vend të kësaj përqendrohemi të zgjidhjet. Kur shohim stokun e madh të çështjeve në sistemin e drejtësisë. SHBA nëpërmjet USAID, financon ato që quhen zyrtarë të uljes së stokut. Këto janë një grup profesionistësh që ndihmojnë për të administruar çështjet. Janë gjykatësit që vendosin, por puna administrative që kërkohet për çdo çështje para se të shkojë në tryezën e gjyqtarit, këtë bëjnë zyrtarët e uljes së stokut. Është diçka që nuk duhet bërë çështje partiake, janë çështje kombëtare. Të gjitha partitë mbështetën Reformën në Drejtësi dhe është e nevojshme që të mbështetet ajo në mënyrën e duhur dhe të plotë”, tha Kim.