Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e kineastes, Alec Baldwin më në fund ua dorëzon telefonin hetuesve


Alec Baldwin ka dorëzuar telefonin e tij celular në polici, që po heton të shtënat fatale në setin e xhirimeve ku humbi jetën kinematografja Halyna Hutchins.

Incidenti ndodhi në xhirimet e filmit Rust në tetor të vitit të kaluar, në Nju Meksiko.

Zyra e Sherifit të Santa Fe konfirmoi se aktori ua kishte dorëzuar pajisjen autoriteteve pranë shtëpisë së tij në Nju Jork.

Policia kishte thënë në fillim të kësaj jave se aktori nuk po bashkëpunonte me hetimin.

Zëdhënësi i Sherifit të Santa Fe-së, Juan Rios i tha Los Angeles Times të premten se policia synon të mbledhë të dhëna si mesazhe me tekst dhe posta zanore nga celulari i aktorit, si pjesë e hetimit të tyre për incidentin.

Aaron Dyer, i cili është avokati i aktorit tha për CBS News se klienti i tij e kishte kthyer vullnetarisht telefonin.

“Por kjo çështje nuk ka të bëjë me telefonin e tij dhe nuk ka përgjigje në telefonin e tij.”- shtoi Dyer, citon BBC. “Alec nuk bëri asgjë të keqe.”

Baldwin po bënte prova me një armë mbështetëse gjatë xhirimit të Rust, kur arma befas u shkrep, por ai ka këmbëngulur se “nuk e tërhoqi këmbëzën“. Lidhur me incidentin është ngritur një padi kundër Baldwin, me pretendimin se skenari i filmit nuk kërkonte që ai të qëllonte me armë, kur ai qëlloi për vdekje zonjën Hutchins. Prokurorët e përshkruan sjelljen e Baldwin dhe producentëve të filmit si “të pamatur” dhe i akuzuan ata se nuk respektuan protokollet e sigurisë.