Vendosni fjalën kyçe....

Balla pret delegacionin nga Kuvendi i Kosovës: Mungesa e liberalizimit të vizave, një premtim i pambajtur nga BE-ja


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka pritur sot në Kryesinë e Kuvendit një delegacion nga Kosova të kryesuar nga Adnan Rrustemi.

Në këtë takim, Balla theksoi nevojën për bashkëpunim mes grupeve parlamentare të dy vendeve, të komisioneve si dhe në kuadër të procesit të integrimit europian.

“Në vijim të bashkëpunimit me Kuvendin e Kosovës u takova sot me një delegacion të Komisionit për Legjislacionin, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit të Kuvendit të Kosovës të kryesuar nga Adnan Rrustemi.

Gjatë takimit theksova nevojën për bashkëpunim mes grupeve parlamentare, komisioneve si dhe në kuadër të procesit të integrimit europian.

Mungesa e liberalizimit të vizave me Kosovën, i cili prej vitesh tashmë është një premtim i pambajtur i Bashkimit Europian, edhe pasi Kosova ka përmbushur kushtet, kërkon një adresim të shpejtë nga institucionet e BE-së.”- shkruan Balla ndërsa ndan disa foto nga ky takim.