Vendosni fjalën kyçe....

Mbase PD duhet të shpërbëhet


Nga Klaudio Agolli

Partia Demokratike është futur në një cikël përplasje si shkak-pasojë e një faktori të huaj dhe opsionet që diskutohen në tryeza mediatike dhe opinionbërëse janë tre:

1.Të ikë Sali Berisha dhe PD-ja të drejtohet nga Lulzim Basha;

2.Të ikë Lulzim Basha dhe PD-në ta rimarrë Sali Berisha;

3.Të ikë Sali Berisha dhe Lulzim Basha dhe të hapet gara për një kryetar të ri.

Për opsionin e parë mund të themi se Basha është “humbës serial” zgjedhjesh dhe elektorati i djathtë më së shumti për shkak edhe të lëvizjeve të fundit të Berishës të mos e besojë shumë dhe ta dërgojë sërish PD-në në disfatë. Në disfavor të Bashës nëse vijon të drejtojë PD-në është faktori Berisha dhe mbështetësit e tij si anëtarësi ashtu edhe në grupin parlamentar dhe rrezikon të jetë pakicë përballë një force të re që mund të krijohet nga lideri historik Berisha.

Për opsionin e dytë nëse PD-ja rimerret nga Sali Berisha do jetë përballë një presioni ndërkombëtar të SHBA-ve dhe një bllokade për rëndësinë që ka njohja ndërkombëtare ndaj një force politike në Shqipëri. Gjithashtu Berisha mund të ketë elektoratin klasik të mbështetësve të tij, përfituesve të tij gjatë kohës që ka qenë në qeveri apo edhe kundërshtarëve të Lulzim Bashës por kurrë nuk do ketë mbështetjen e elektoratit gri me pikëpamje të djathta apo në opozitë me Partinë Socialiste. Në këtë rast edhe elektorati i një moshe kryesisht të re të lindur në vitet mbas 1990 ka probabilitet më të lartë të mos e mbështesë Sali Berishën.

Për opsionin e tretë të cilin e shoh me shumë vështirësi për të ndodhur për shkak se momenti dhe koha po tregon që as Basha dhe as Berisha nuk do tërhiqen pasi pushteti është raport force dhe kush fiton në matjen e forcave do mbajë PD-në dhe nuk do i hapë rrugën një kryetari të ri ndryshe nga dy emrat që po matin fuqinë. Nëse në një përqindje fare të vogël do ndodhte që Basha dhe Berisha të largoheshin atëherë do shpallej gara për një kryetar të ri dhe skenari që ose të ishte i grupimit Basha ose i grupimit Berisha do çonte PD-në sërish-ndoshta në një moment më të vonë- në të njëjtën situatë ku ndodhet tani.

Opsioni “kataklizëm” si shpresë për demokracinë dhe opozitën reale

Ndoshta PD-ja duhet të shkatërrohet që të lindë një opozitë reale. Në shumë nga vendet postkomuniste partitë që u krijuan jo si derivat i Partisë Komuniste pas disa kohësh u shpërbënë. Edhe pse në Shqipëri ndoshta nuk mund të themi me siguri 100% se PD-ja lindi si një parti dhe jo u poll si e tillë nga regjimi në rënie komunist.

Lindja e një partie të re opozitare me Partinë Socialiste, me një ideologji të djathtë reale pse jo edhe konservatore do ishte më e dhimbshme nuk do ishte “fast food” për rëndësinë që ka opozita në demokraci por do ishte “slow food” me rrënjë të forta të shëndetshme dhe një shpresë reale për qytetarët që nuk e shohin veten as te PS-ja dhe as të PD-ja e sotme.

Por pyetja më e madhe për këtë opsion është “Kush do e krijojë?”. Ajo duhet të lindë si bashkim mendimesh mes një grupimi që qëndron larg pellgut të tanishëm politik dhe që merr përsipër të krijojë një opozitë reale jo peng interesash ekonomike e ndërkombëtare. Ky është ndoshta opsioni më i mirë për një opozitë në Shqipëri.