Sikurse ishte parashikuar, moti është përkeqësuar këtë djelë. Zona bregdetare është përfshirë nga erëra të forta që kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve detare.
Si pasojë, në qytetin bregdetar të Vlorës dhe atë të Durëssit, lundrimi të vijojë i pezulluar edhe ditën e sotme.
Sakaq raportohet se janë mbytur 5 varka të vogla peshkimi në zonën e Plazhit të Vjetër.
Tragetet e linjës Durrës-Bari nuk u nisën mbrëmë për shkak të motit të keq, pasi forca e detit ka qenë 8 deri 9 ballë.
E njëjta situatë edhe për tragetet që do niseshin nga Bari në drejtim të Portit të Durrësit, janë nisur mëngjesin e sotëm në drejtim të brigjeve shqiptare.
Anijet e tonazhit të mesëm dhe ato të peshkimit nuk janë lejuar të dalin për aktivitet të përditshëm lundrimor, deri në përmirësimin e kushteve meteorologjike. Në mbrëmje pritet përmirësim i motit dhe normalizim në lundrimin detar.
Drejtoria e Përgjithshme Detare lajmëroi dje pronarët e anijeve që të bëjnë kujdes dhe të merrnin masa për sigurimin e tyre në porte.
“Drejtoria e Përgjithshme Detare njofton lundërtarët, pronarët e mjeteve detare, operatorët në portet e Shqipërisë dhe në hapësirën detare, që ditën e premte, të shtunë dhe të diel, në datat 1, 2 dhe 3 shkurt 2019, bregdeti ynë do të përfshihet nga erëra me drejtim nga jugu në juglindje dhe forca e detit 7, shkalla Boufort, në det të hapur.
Drejtoria Detare iu bën thirrje të gjithë subjekteve që operojnë në fushën e detarisë që të marrin masa për sigurimin e mjeteve në porte dhe të rrisin shkallën e gatishmërisë së ekuipazhit në mjete” – thuhet në njoftim. /Hashtag.al