Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj: Këshilltarët e Bashkisë përgojohen nga burra që paguhen si analistë me 500 mijë lekë të vjetra por që marrin para nga lloj-lloj bandash


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i pranishëm në festën e fundvitit me Forumin e Gruas së Partisë Socialiste nuk i shpëtoi deklaratave pas akuzave se në listën e borderosë së bashkisë janë dhjetëra Këshilltarë me rroga të majme që punojnë për të.

Në fjalën e tij Veliaj tha se Këshilltarët e Bashkisë përgojohen nga burra që paguhen si analistë me 500 mijë lekë të vjetra por që realisht punojnë ën të zezë dhe paguhen nga lloj-lloj bandash që vënë gjoba.

Dëgjova një idiotësi për këshilltarët e bashkisë. Tre prej tyre, vajza të shkëlqyera, paguhen nga Fondi Shqiptaro-Amerikan, por për çështje formaliteti duhet të vijë borderoja në bashki, që pastaj të marrin rrogën. Ato janë gra të shkëlqyera që kanë bërë qendra si “TUMO”, po mësojnë mijëra fëmijë se si të kodojnë, janë gra të shkëlqyera si ato që kanë bërë Agjencinë tonë të Rinisë. E filluan si këshilltare të paguara nga amerikanët, që i kalojnë në bordero të bashkisë, por sot kanë bërë gjërat më të bukura në këtë qytet. Unë jo vetëm që nuk e kam kompleks e nuk i fshihem kësaj, por jam super krenar për gocat tona. Këto gra i përgojojnë disa burra që paguhen si analistë 500 mijë lekë të vjetra, por të gjithë e dimë që janë gënjeshtarë, të gjithë e dimë që punojnë në të zezë dhe që paguhen nga lloj-lloj bandash e që vënë gjoba”-deklaroi Veliaj përcjell Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ky është sulmi i dytë që Veliaj bën për punonjësit mediave pasi doli databaza e rrogave.

Kryebashkiaku u përplas edhe me gazetarin Artan Hoxha lidhur me foton e një Mercedesi lukos për të cilin gazetari tha se kishte parë Veliajn ta përdorte. Veliaj nga ana tjetër e akuzoi Artan Hoxhën si gjobvënës që është në borderotë e bandave. Pas këtyre akuzave të ndërsjellta Hoxha publikoi dokumentin ku Veliaj kishte firmosur për të miratuar ndërtimin e inceneratorin e Tiranës pronarët e të cilit janë shpallur në kërkim për aferën e përfshirë me djegësin e mbeturinave në Elbasan.