Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj: Nuk e kam unë “Mercedes”-in e portaleve, por nuk u dorëzohem gjobave që vënë


Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka reaguar sot lidhur me lajmet që kanë qarkulluar nëpër portale, se ai përdor një makinë të kushtueshme të markës “Maybach” të cilën e parkon para godinës së bashkisë.

Lidhur me këtë Veliaj është shprehur se këto informacione janë publikuar nga portale gjobëvënëse.

“Po u more me gjobat që vendosin portalet dhe televizionet nuk bën dot asnjë punë. Njëri thoshte se lali ka blerë makinë 500 mijë euro. E para e punës, kush më njeh e di se unë nuk jam rraqexhi makinash. Më thanë dil e sqaroje, po kë të sqaroj? Edhe ai që e ka shkruar këtë rrenën e di që nuk është e vërtetë.

Por, po t’i shkosh atij të portalit, ai thotë: Më jep një shtëpi, më fal një makinë. Po nëse merresh me këta, ata këtë punë kanë sepse kanë hapur nja dy-tre portale dhe thonë: Më sill lekët që mos të të biem. Më mirë bëjmë shtëpitë e njerëzve se sa t’i përgjigjemi gjobave të këtyre. Po u fokusuam në punë, ajo flet vetë.

Dy mundësi kemi: Ose të merremi me logje, t’i vëmë gjoba njëri-tjetrit, ose merremi me punë, që të ngelet një vepër konkrete, një ndërtesë, një shtëpi, një pallat, një kopësht, një shkollë, një çerdhe, një park.”- tha Veliaj.

Fotoja e makinës në fjalë e parkuar para bashkisë, u publikua para pak ditësh fillimisht nga gazetari Artan Hoxha dhe më pas u qarkullua nëpër portale.

“Meqë doli sot kjo lista e targave, më ndihmoni dot e kujt është kjo bisha me targa AB 007… e parkuar te oborri i bashkisë së Tiranës???!!!

Që të kesh një superbenz fringo të ri si ky, duhet të jesh në top-listën e rrogave???!!!

Jo për gjë, por kam nja 4-5 javë, që shikoj të qarkulloj me të, dikë që shfaqet shpesh në media, i fotografuar “pa mendje” duke udhëtuar me biçikletë nëpër qytet…

Epo jemi në kohë festash, në kohë dhuratash!!! Super makinë është jo shaka!!!

Ka punuar dynjaja për këtë ditë.”– shkruante Hoxha krahas fotos, duke nënkuptuar kështu se mjeti luksoz përdorej shpesh nga kiryebashkiaku i Tiranës.