Vendosni fjalën kyçe....

Kriza energjetike, Kosova shpall gjendjen e emergjencës


Kosova ka shpallur këtë të mërkurë zyrtarisht gjendjen e emergjencës për shkak të krizës energjetike. Ky vendim u votua sot në Kuvendin e Kosovës me 57 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Gjendja emergjente do të zgjasë për 60 ditë.

Kujtojmë se qeveria shqiptare ka shprehur gatishmërinë për t’i ardhur në ndihmë Kosovës në ditët e festave me energji elektrike. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka falënderuar homologun e tij Edi Ramën për ndihmën e ofruar. 

“Ne e falënderojmë kryeministrin Edi Rama për mbështetjen. Ministrja jonë e Ekonomisë e ka bërë një kërkesë të tillë ndaj Shqipërisë. Kemi termocentrale, ata kanë hidrocentrale. Bëhet fjalë për 2 ditë që janë të rëndësishme sepse janë të ndërrimit të viteve dhe pastaj edhe ne do kemi mundësi t’i ndihmojmë në raste nevoje verën e vitit të ardhshëm.”- ka deklaruar Kurti.

Kosova është duke u përballur prej ditësh me krizë energjetike. Për shkak të kësaj krize energjetike qytetarët, nga e mërkura e 22 dhjetorit, përballen me reduktime të energjisë elektrike. Gjë e cila i ka ngritur dhe qytetarët në protestë.