Vendosni fjalën kyçe....

Manastirliu zbulon 3 vendimet e sotme të qeverisë: Nga Janari do të dyfishohet ndihma ekonomike për këto familje


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu në një deklaratë për mediet, ka bërë me dije tre vendime të marra sot në mbledhjen e qeverisë lidhur me dikasterin e drejtuar prej saj.

Manastirliu u shpreh se vendimi i parë ka të bëjë me rritjen e masës së ndihmës ekonomike nga janari 2022, vendimi i dytë me mbështetjen financiare për spitalin memorial në Fier dhe i treti me edukimin shëndetësor tek fëmijët në shkolla.

“Vendimi i parë, bërja efektive e rritjes së masës së ndihmës ekonomike duke filluar nga janari 2022. Buxheti për mburojën sociale dhe programet tona sociale është rritur. Për ndihmën ekonomike është rritur me 15 milionë dollarë. Do të dyfishohet nga janari 2022 masa e ndihmës ekonomike për rreth 15 mijë familje përfituese të kësaj ndihme që kanë mbi 3 fëmijë. Do trefishohet për fëmijët me status jetimi, për gratë e trafikuara dhe dhunuar. Ky vendim bën të mundur në muajin janar rritjen e masës së ndihmës ekonomike, sipas kategorive dhe sipas strukturës së familjeve. Një politikë sociale e cila bëhet efektive me buxhetin 2022 dhe synon të mbështesë familjes me ndihmë ekonomike.

Një tjetër vendim i rëndësishëm që mbështet një prej strukturave spitalore më të rëndësishme në vend, spitali memorial në Fier që po bën 6 muaj që funksionon dhe që po iu shërben më shumë se 330 mijë qytetarëve, po rrit shërbimet dita-ditës. Deri tani më shumë se 29 mijë shërbime. Vendimi që miratuam sot, rrit mbështetjen financiare për këtë spital, duke garantuar dhe rritjen e gamës së shërbimeve që ofron.
Vendimi i tretë i qeverisë që prek pikërisht Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Arsimit, është një marrëveshje bashkëpunim që bën të mundur edukimin shëndetësor tek fëmijët nga 6 deri në 16 vjeç në shkolla. Edukim shëndetësor për sëmundjet jo të transmetueshme.”– tha ministrja Manastirliu.