Vendosni fjalën kyçe....

Databaza me pagat e qytetarëve, Qeveria: Dokument ilegal, po përgatitet denoncimi për në Prokurori


Qeveria shqiptare ka reaguar lidhur me një listë që ka qarkulluar prej disa ditësh në “Ëhatsapp” me të dhëna personale dhe pagat.

Në një njoftim për shtyp të publikuar nga Endri Fuga, këshilltari i kryeministrit Edi Rama për media, thuhet se bëhet fjalë për një dokument ilegal i cili mohohet të ketë dalë nga Ministria e Ekonomisë dhe e Financave.

Po ashtu theksohet se ministria e Financave dhe Ekonomisë do të depozitojë një kallëzim penal në prokurori lidhur me këtë.

“Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndjekur me shqetësim daljen e të dhënave mbi pagat e shtetasve shqiptarë. Analizat paraprake tregojnë qartësisht se nuk ka ndodhur asnjë eksport dixhital i databazës së pagave për periudhën janar – prill 2021 në fushat e dokumentit të hedhur në qarkullim. Dokumenti ka një numër të ndryshëm nga personat e deklaruar dhe është bashkim i disa copave të ndryshme.

Po ashtu databaza digjitale zyrtare e të dhënave të disponueshme nuk e përmban fushën ‘Emri i Plotë’ siç lexohet në këtë dokument ilegal.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka mbyllur prej rreth një muaji termat e referencës për procedurën e hapur ndërkombëtare të auditimit për efekt të çertifikimit me standartet ISO të sistemit informatik të tatimeve, e cila shpallet zyrtarisht javët e ardhshme. Ndërkohë ministria e Financave dhe Ekonomisë po përgatit denoncimin zyrtar për prokurorinë, në kërkim të zbardhjes së kësaj ndërhyrjeje kriminale në databazën e pagave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.”– thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediet.

Pagat e mbi 637 mijë punonjësve në sektorin publik dhe atë privat kanë rrjedhur në rrjetet sociale duke bërë që çdokush të ketë akses në të dhënat personale të tyre.

Krahas këtyre informacioneve tregohet edhe numri i kartës së identiteti dhe vendi ku ata punojnë.

Lidhur me këtë Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet./Hashtag.al