Vendosni fjalën kyçe....

Operatori i Soros Ervin Qafmolla: Atyre që nuk vaksinohen duhet t’u mohohet shërbimi mjekësor


Ish-anëtari i organizatës Mjaft e operatori i Fondacionit Soros në Shqipëri, Ervin Qafmolla, ka bërë thirrje që personave të cilët nuk vaksinohen ndaj Covid-19 duhet t’u mohohet shërbimi mjekësor, pasi janë kthyer në rrezik jetësor për pjesën tjetër të shoqërisë.

Në një editorial të gjatë, Qafmolla sjell disa shembuj nga fusha të tjera për të përligjur thirrjen e tij. Sipas autorit, shumë njerëz në botë kanë vdekur apo janë sëmurur rëndë për shkak se spitalet kanë qenë të mbingarkuara nga të prekurit nga Covid-19 që nuk janë vaksinuar dhe kanë nisur një kryqëzatë kundër shkencës.

:Bota ende po studion pasojat që mbingarkesa e sistemeve spitalore prej COVID-19 ka shkaktuar mbi të prekurit nga sëmundje të tjera. Përshkallëzimi i kapjes së vonuar të rasteve me kancer dhe fatalitetet përkatëse si pasojë e mbingarkesës së sistemeve shëndetësore, tashmë të dokumentuara, janë vetëm një aspekt i gjëmës. Njerëzit kanë vdekur edhe nga absese banale sepse nuk mundën të kishin qasje në shërbim. Rrjedhimisht, do të preferoja që të mos vdisja nga ndonjë sëmundje e kurueshme për shkak se sistemi shëndetësor është drejt kolapsit nga ata që meqenëse nuk kanë ndonjë justifikim më pak dëshpërues për përvojat zhgënjyese që përjetojnë, tani kanë zbuluar si përligjje të mllefeve, kryqëzatën idiote kundër shkencës. Ndaj, sado johumane apo e pamundur, refuzimi i dhënies së ndihmës ndaj të pavaksinuarve (përjashto ata që nuk munden për arsye shëndetësore) do të ishte, në rastin më modest, një fillim i mirë.” – shkruan Qafmolla.

Ai i cilëson të pavaksinuarit si ‘xixëllonja qorre’ nëpër terr që kanë ngarendur flakadanët e tyre kundër shkencës.

Në fund të shkrimit, Qafmolla, thekson se refuzimi i dhënies së ndihmës ndaj personave të pavaksinuar ndaj koronavirusit të ri do ishte një fillim i mbarë.

Qafmolla është i angazhuar rregullisht në projekte të Fondacionit për Shoqërinë e Hapur në dy dekadat e fundit. Po kështu ai është autor në median BIRN-Reporter.al. /Hashtag.al