Vendosni fjalën kyçe....

Rusia zbulon propozimet e sigurisë ndaj Perëndimit, përgjigjet menjëherë Uashingtoni


Me marrëdhëniet midis Rusisë dhe NATO-s në nivelin më të ulët historik, Moska i ka dorëzuar Perëndimit propozime për garanci sigurie, për të cilat thotë se shpreson të ndihmojnë në përfundimin e krizës së tanishme dhe fillimin e normalizimit të marrëdhënieve.

Draft dokumentet, të cilat iu dorëzuan Ndihmës Sekretares së Shtetit të SHBA-së Karen Donfried të mërkurën dhe iu zbuluan publikut të premten, përfshijnë një kërkesë për një gamë të gjerë garancish nga NATO dhe Uashingtoni të cilat Moska pretendon se synojnë të rrisin sigurinë e të gjitha palëve të përfshira.

Sugjerimet vijnë në mes të tensioneve gjithnjë në rritje midis Rusisë dhe SHBA-së. Gjendja e marrëdhënieve midis Moskës dhe Uashingtonit është përkeqësuar gjatë dekadës së fundit, duke filluar me mosmarrëveshjet për ndërhyrjen në Libi në vitin 2011 dhe më vonë të përkeqësuar nga krizat në Siri dhe Ukrainë. Që atëherë, palët kanë shkëmbyer sanksione ekonomike, dëbime diplomatike dhe retorikë të fortë. Në fillim të këtij viti, ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov e përshkroi marrëdhënien midis Moskës dhe bllokut si inekzistente.

Propozimet e fundit vijnë gjithashtu një javë pasi presidenti rus Vladimir Putin mbajti një samit virtual me homologun e tij amerikan Joe Biden, ku ai zbuloi se Moska është e interesuar të marrë garanci të forta ligjore nga partnerët e saj perëndimorë.

Çfarë po propozon Rusia?

Rusia ka hartuar dy dokumente të veçanta, një për NATO-n dhe një tjetër vetëm për amerikanët. Të dyja marrin formën e një kontrate, duke përfshirë premtime ligjërisht të detyrueshme për sjelljen e ardhshme të të gjitha palëve.

Teksti i dorëzuar bllokut 30 anëtarësh fokusohet kryesisht në lëvizjen e personelit ushtarak dhe materialit, duke përfshirë një premtim se të gjithë nënshkruesit nuk do të vendosin forcat e tyre në shtetet evropiane që nuk ishin anëtarë të NATO-s në vitin 1997. Kjo do të përjashtonte ish-anëtarët e Paktit të Varshavës.

Një artikull tjetër në tekst përfshin një thirrje për të mos vendosur raketa me bazë tokësore të ndërmjetme dhe me rreze të shkurtër veprimi në afërsi të territorit të njëri-tjetrit.

Dokumenti përmban gjithashtu një kërkesë që anëtarët e tanishëm aktualë të NATO-s duhet t’i rezistojnë zgjerimit të mëtejshëm të bllokut ushtarak, duke përfshirë pranimin e Ukrainës, e cila ka qenë prej kohësh një vijë e kuqe për Moskën. Përveç premtimit se Kievi nuk do të aderojë, teksti përfshin gjithashtu një klauzolë që anëtarët aktualë të NATO-s heqin dorë nga çdo aktivitet ushtarak në territorin e Ukrainës, si dhe në shtetet e tjera të Evropës Lindore, Transkaukaziane dhe Azisë Qendrore.

Propozimi për SHBA-në përfshin shumë garanci të ngjashme, si për shembull një artikull që si Rusia ashtu edhe SHBA-ja nuk do të përdorin territorin e shteteve të tjera me qëllim përgatitjen ose kryerjen e një sulmi të armatosur kundër njëri-tjetrit. Për më tepër, teksti u bën thirrje amerikanëve të angazhohen për të përjashtuar zgjerimin e NATO-s në vendet që dikur ishin republika të Bashkimit Sovjetik.

Për më tepër, Rusia po kërkon një zotim ku të dyja palët të mos vendosin armë bërthamore në vende të tjera.

Pas propozimeve ruse nuk ka vonuar edhe përgjigjia amerikane. SHBA-ja ‘nuk do të bëjë kompromis’ për zgjerimin e NATO-s, përsëriti Shtëpia e Bardhë të premten.

“Ne i kemi parë propozimet ruse. Ne po i diskutojmë ato me aleatët dhe partnerët tanë evropianë”, u tha gazetarëve në bordin e Air Force One të premten sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, kur u pyet për dokumentet ruse.

Ajo shtoi se SHBA-të nuk do ta pranojnë idenë e ndalimit të zgjerimit të NATO-s në Evropë, pavarësisht asaj që dëshiron Rusia.

“Ne nuk do të kompromentojmë parimet kryesore mbi të cilat është ndërtuar siguria evropiane, duke përfshirë që të gjitha vendet kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen e tyre dhe të formojnë politikë pa ndërhyrje nga jashtë”, tha ajo.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani