Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet në Kosovë reperi i njohur shqiptar, Noizy


Është arrestuar në Kosovë reperi shqiptar, Rigels Rajku, i njohur me emrin artistik Noizy.

Të paktën kështu raportojnë sot mediet në Kosovë, të cilat i referohen deklaratës së zëdhënëses së Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Sipas Ahmetit, ndalimi i reperit është bërë me urdhër të gjykatës.

“Mbrëmë në pikën kufitare, në Vermicë nga policia është ndaluar një person, i cili është shoqëruar në stacionin policor Qendra në Prishtinë. Ndaj tij ka qenë aktive një urdhëresë të gjykatës. Zyrtarët policor në koordinim me institucionet përkatëse, po kryejn veprimet e nevojshme procedurale.”– u shpreh Ahmeti lidhur me këtë rast për Klan Kosova.

Disa ditë më parë Noizy ka qenë në Zvicër, ku edhe ka publikuar fotografi të ndryshme. Më pas është kthyer nga Zvicra me avion për në Prishtinë, ku mesa duket është ndaluar nga Policia.