Vendosni fjalën kyçe....

Dyfishohen pagesat për ushtarët e FA në misionin e KFOR në Kosovë


Janë dyfishuar pagesat për ushtarët e FA në misionin e KFOR.

Me anë të një një VKM-je, pagesa do të bëhet 12 mijë lekë, nga 6 mijë lekë që ishte më parë.

Gjithashtu Këshilli  i Ministrave në mbledhjen e sotme ka marrë vendimin për të zgjatur pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacion ushtarak ndërkombëtar të KFOR në Kosovë.

Kjo është hera e dytë që merret vendimi për zgjatjen e pjesëmarrjes së trupava tanë me KFOR në Kosovë, pasi u vendos në vitin 2005.

Vendimi i radhës u mor në vitin 2014 , ku u vendos zgjatja  për 10 vite deri në 2024 dhe tanimë sërish me 3 vite, deri në 2027.

Njoftimi:

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.910, DATË 22.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PJESËMARRJEN E FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN USHTARAK NDËRKOMBËTAR KFOR, KOSOVË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Në vendimin nr.910, datë 22.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak ndërkombëtar KFOR, Kosovë”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
  2. a) Në pikën 4, togfjalëshi “… 31 dhjetor 2024 …” zëvendësohet me “… 31 dhjetor 2027 …”;
  3. b) Në shkronjën “a”, të pikës 5, togfjalëshi “… në masën 6 000 (gjashtë mijë) lekë …” zëvendësohet me “… në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) …”.
  4. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.
  5. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU