Pekini është kundërpërgjigjur pasi Uashingtoni shpalli një bojkot diplomatik të Lojërave të ardhshme Olimpike Dimërore, duke thënë se liderët amerikanë nuk ishin ftuar në ngjarje në fillim, dhe duke e cilësuar masën si ‘manipulim politik’.
I pyetur në lidhje me bojkotin e shpallur nga administrata Biden më herët të hënën, një zëdhënës i ambasadës kineze në SHBA, Liu Pengyu, i tha Reuters se vendimi binte në kundërshtim me ‘frymën’ e Lojërave Olimpike, por nuk do të kishte asnjë efekt negativ në lojëra që do zhvillohen dimrin e ardhshëm në Kinë.
“Një akt i tillë pretencioz është vetëm një manipulim politik dhe një shtrembërim i rëndë i frymës së Kartës Olimpike. Në fakt, askujt nuk do t’i interesonte nëse këta njerëz do të vijnë apo jo, dhe kjo nuk ka asnjë ndikim që Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022 të mbahen me sukses”, tha ai.
Asnjë ftesë nuk u është bërë politikanëve amerikanë, ndaj ky ‘bojkot diplomatik’ vjen thjesht nga hiçi.
Liu shkoi edhe më tej në një postim vijues në Twitter, duke ndarë një grafik me tekst që denonconte ‘Gjendjen e Demokracisë në Shtetet e Bashkuara’. Ai vazhdoi duke thënë se sistemi amerikan bazohej në ‘një lojë me para në politikë’, e sunduar nga një ‘elitë pakice’ dhe kishte një ‘krizë besimi’.
Ndërsa administrata e Biden vuri në dukje se atletët amerikanë do lejohen të garojnë në Lojërat Olimpike, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se zyrtarët amerikanë nuk do të merrnin pjesë, duke përmendur akuzat për ‘krime kundër njerëzimit’ kundër pakicave etnike dhe fetare në provincën Xinjiang të Kinës dhe ‘shkelje të tjera të të drejtave të njeriut’.