Vendosni fjalën kyçe....

Kandidati për president në Francë sulmohet gjatë tubimit të tij të parë të fushatës (VIDEO)


Kandidati i ekstremit të djathtë për president të Francës, Eric Zemmour është sulmuar në tubimin e tij të parë të fushatës.

Sikurse shkruan BBC, në kohën kur kandidati 63-vjeçar po lëvizte mes turmës për t’u ngjitur në skenë, një burrë e kapi nga qafa. Menjëherë ndërhynë oficerët e sigurisë duke e neutralizuar personin.

Mediet lokale raportojnë se Zemmour u lëndua në kyçin e dorës dhe mjekët i kanë këshilluar atij të pushojë për nëntë ditë.

Incidenti ndodhi në një qendër kongresi në veri-lindje të kryeqytetit Paris të dielën mbrëma.

Ish-gazetari dhe eksperti Eric Zemmour njihet për pikëpamjet e tij të diskutueshme mbi emigrantët dhe Luftën e Dytë Botërore.

Në të kaluarën, Zemmour i cili është fëmijë i dy emigrantëve hebrenj algjerianë ka pretenduar se shteti francez i mbronte hebrenjtë gjatë konfliktit, kur në realitet regjimi kolaboracionist Vichy dërgoi mijëra hebrenj francezë në kampet naziste të vdekjes.

Pas javësh spekulimesh, Zemmour njoftoi të martën kandidaturën e tij për në zgjedhjet presidenciale franceze të vitit 2022. Ai po sfidon figurën e ekstremit të djathtë Marine Le Pen për udhëheqjen e së djathtës së fortë nacionaliste të Francës.