Vendosni fjalën kyçe....

Pyetja që Kushtetuesja bllokoi për në Venecia


Nga Petrit Vasili

Gjykata Kushtetuese në Vendimin nr. 36 datë 4.11.2021 (V-36/21) pohon me gojën e saj:

“13.Gjykata, pasi dëgjoi parashtrimet dhe prapësimet e palëve pjesëmarrëse në gjykim, në përfundim të seancës plenare u tërhoq në dhomën e këshillimit dhe bazuar në nenin 44/b të ligjit nr. 8577/2000, vendosi të pezullojë shqyrtimin e çështjes dhe t`i drejtohet Komisionit të Venecies si organ këshillimor i specializuar për dhënien e një opinioni amicus curia në lidhje me standardet dhe parimet që duhet të merren në konsideratë në çështjen në shqyrtim. Në marrjen e këtij vendimi Gjykata vlerësoi interesin publik dhe rëndësinë e kësaj çështjeje, duke pasur parasysh natyrën e pretendimeve dhe të të drejtave kushtetuese të përfshira, si dhe rolin e procesit zgjedhor në jetën politike e sociale të vendit e parimet themelore demokratike që duhet të ndjekë dhe respektojë ai. Për këtë qëllim ajo u njohu edhe palëve në gjykim të drejtën për të propozuar pyetje, duke përcaktuar afatin për paraqitjen e tyre”.

Pra siç e shihni të gjithë, Gjykata Kushtetuese u njohu edhe palëve në gjykim të drejtën për të propozuar pyetje, duke përcaktuar afatin dy ditor për paraqitjen e tyre deri në datë 25 qershor të vitit 2021.

Në përputhje të plotë me këtë Vendim të Gjykatës Kushtetuese, Shoqata e Kryetarëve të Bashkive, që ishte njëkohësisht palë kërkuese ka depozituar edhe Pyetjen e saj.

Po cila ishte Pyetja që i dhembi kaq shumë Gjykatës Kushtetuese saqë ajo e bllokoi dhe në mënyrë tërësisht antiligjore dhe arbitrare, bile edhe në kundërshtim me vendimin, që mori po vetë, dhe nuk e dërgoi në Komisionin e Venecias.

Ja Pyetja e Shoqatës së Bashkive:

“A është Dekreti i Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe ai për anulimin e saj, një akt me karakter të përgjithshëm ose akt normativ kushtetues apo është një akt administrativ nënligjor individual dhe në cdo rast, a mund të refuzohej zbatimi i tyre nga KQZ sikurse ka ndodhur, apo duhej që këto dekrete t’ju nënshtroheshin vlerësimit mbi kushtetushmërinë vetëm nga Gjykata Kushtetuese mbi bazën e kërkimeve të subjekteve që kishin pretendime në përputhje me kriteret kushtetuese për vënien në lëvizje të kësaj gjykate”?

Aq e vërtetë është kërkesa e Gjykatës Kushtetuese për t’i bërë pyetje Komisionit të Venecias sa që Presidenti i Republikës si subjekt i interesuar i përgjigjet Gjykatës Kushtetuese me shkresën Nr.2011/1 datë 25.06.2021:

“Ndërsa, për sa i takon Presidentit të Republikës, si palë dhe subjekt i interesuar në këtë gjykim, shprehemi se, nuk kemi asgjë të paqartë lidhur me çështjen objekt shqyrtimi, argumentat e paraqitura para Gjykatës Kushtetuese janë tejet shteruese, rrjedhimisht nuk kemi pyetje për t’ia adresuar Komisionit të Venecias lidhur me çështjen e procesit të votimeve të 30 qershorit 2019, antikushtetutshmëria e të cilit është objekt shqyrtimi nga ana juaj. Presidenti i Republikës i qëndron tërësisht parashtrimeve të paraqitura zyrtarisht dhe me shkrim përpara Gjykatës Kushtetuese”.

Në fakt në mënyrë të pabesë e të paligjshme Gjykata Kushtetuese i dërgoi Komisionit të Venecias vetëm tre pyetjet e saj dhe që i bënin fresk 30 qershorit dhe bllokoi Pyetjen shumë thelbësore të Shoqatës së Kryetarëve të Bashkive.

Bllokimi i pyetjes së Shoqatës së Bashkive, që ishte edhe kërkuesja e vetme, tregon qartë se gjithçka ishte një farsë e mirëmenduar.

Pyetjet e Gjykatës Kushtetuese ndaj Venecias ishin thjesht një hipokrizi për të shpërndarë dhe për t’ju shmangur përgjegjësisë së saj për të marrë Vendimin për votimet moniste të 30 qershorit dhe veprimet antikushtetuese dhe antiligjore të institucioneve.

Ky Skandal provon qartë se gjithçka ka qenë pjesë e një Strategjie të qartë mes Gjykatës Kushtetuese dhe Qeverisë në shërbim të kësaj të fundit, që votimet moniste të 30 qershorit 2019 të mos prekeshin.

Zhgënjim i madh për këdo që ka pasur iluzione për drejtësinë e re.

Gjykata e mëparshme Kushtetuese ka dhënë dhjetra vendime kundër qeverive qofshin të majta a të djathta.

Ndërsa Gjykata aktuale Kushtetuese u rrëzua dhe ju dorëzua kokë e këmbë Qeverisë që në provën e parë.

P.S. Më poshtë me foto janë dokumentet origjinale që provojnë skandalin.