Vendosni fjalën kyçe....

Biden zbulon planin për të ‘vaksinuar botën’


Presidenti Joe Biden është zotuar të mos e ccojë SHBA-në në një bllokim tjetër teksa në vend përhapet lloji i ri Covid-19. Përveç nxitjes së vaksinimit në shtëpi, Biden tha se SHBA-ja ‘duhet të vaksinojë botën’.

Biden përshkroi politikën e tij të koronavirusit për muajt e ardhshëm në një shkrim të botuar në USA Today të enjten. Në artikull, presidenti tha se përhapja e shpejtë e llojit të ri Omicron, i cili tashmë është përhapur në SHBA, ‘është një shkak për t’u shqetësuar’, por jo ‘për panik’.

“Ne do e luftojmë Covid-19 jo me mbyllje ose bllokime, por me vaksinime më të përhapura, doza përforcuese, testime etj.” – shkroi ai.

Disa nga këto masa nënkuptojnë zgjatjen e orareve të vaksinimit në qendra edhe gjatë fundjavës si dhe hapjen e shumë qendrave të reja.

Si pjesë e planit të tij për të mbajtur shkollat ​​të hapura, Biden tha se qeveria do të rritë fushatën e saj të vaksinimit që synon fëmijët deri në moshën pesë vjeçare, si dhe do të hapë ‘qindra klinika të reja vaksinimi familjare’.

Ndërsa u bëri thirrje të gjithë amerikanëve për të marrë doza përforcuese, Biden deklaroi se vetëm vaksinimi masiv i popullatës amerikane nuk do ta zgjidhte problemin, duke argumentuar se SHBA duhet të ndihmojë vendet e tjera për të vaksinuar popullsinë e tyre.

“Ne duhet të vaksinojmë botën dhe të forcojmë rregullat ndërkombëtare të udhëtimit për njerëzit që vijnë në SHBA,” tha Biden, duke shtuar se SHBA planifikon të dërgojë 200 milionë doza brenda 100 ditëve të ardhshme, përveç 280 milionë vaksinave që ka dërguar tashmë.