Vendosni fjalën kyçe....

Shërbimi inteligjent i Britanisë jep alarmin: Po ngelemi mbrapa Kinës e Rusisë në përdorimin e teknologjisë


Kreu i shërbimit inteligjent MI6 të Britanisë, Richard Moore, ka paralajmëruar se agjencia e spiunazhit duhet të përshtatet për të përmbushur kërcënimet e reja dixhitale të shekullit të 21-të, nëse dëshiron të mbetet efektive në mbledhjen e inteligjencës dhe kundër spiunazhit.

Në fjalimin e tij të parë publik që kur u bë shef i MI6, Moore ka përshkruar sfidat me të cilat përballet agjencia, pasi ajo kërkon të konkurrojë me kundërshtarët që shfrytëzojnë përparimet dixhitale.

Duke nënvizuar shqetësimet e MI6 për kombet si Kina dhe Rusia që përqafojnë teknologjinë dixhitale, Moore deklaroi se agjencia duhet të punojë shumë për të kuptuar se si t’i kundërvihet këtyre kërcënimeve, teksa agjencia zhvillohet.

“Ata e dinë se zotërimi i këtyre teknologjive do u japë fuqi,” tha Moore, duke iu referuar rivalëve gjeopolitikë të Mbretërisë së Bashkuar, duke shtuar se ‘një shërbim inteligjence duhet të jetë në pararojë të asaj që është teknologjikisht e mundshme’.

Fjalimi i Moore mund të shihet potencialisht si një pranim se MI6 është në rrezik të lihet pas nga kombet që po zhvillojnë me shpejtësi teknologji të reja, pasi ai paralajmëron se ‘ne nuk mund të shpresojmë të përsërisim industrinë globale të teknologjisë’.

Që nga marrja në dorë e MI6, Moore është përballur me adresimin e sfidave të paraqitura nga përparimi në inteligjencën artificiale, llogaritjen kuantike dhe elementë të tjerë dixhitalë që kanë ndryshuar mënyrën e kryerjes së spiunazhit. Për shembull, përparimet në teknologjinë biometrike dhe të njohjes së fytyrës e kanë bërë pothuajse të pamundur që spiunët të adoptojnë identitete të rreme pa u ekspozuar.

Hapja e MI6 për lëvizjen e saj në hapësirën e teknologjisë u shfaq në shtator kur agjencia pranoi se kishte një Seksion të vërtetë ‘Q’, siç shihet në filmat e James Bond, që zhvillon pajisje për agjentët e saj në terren.