Vendosni fjalën kyçe....

Kush është Brilant Martinaj, kushëriri i Ervis Martinajt që u vra në atentatin mafioz në Fushë Krujë (Video)


Janë zbuluar emrat e tre personave të ekzekutuar në atentatin mafioz në autostradën Fushë Krujë-Thumanë.

Personi i parë i identifikuar është 29-vjeçari Diklen Vata, i cili arriti të dalë nga makina duke ndërruar jetë në rrugë, ndërsa emrat e dy viktimave të tjerë janë zbuluar pak më vonë për shkak se ndaj mjetit ‘VW’ është qëlluar mbi 60 herë me kallashnikov duke bërë që të shpërthejë në flakë.

Dyshohet se në atentatin mafioz në Fushë Krujë kanë marrë pjesë tre persona, një ka qenë shofer ndërsa dy të tjerët kanë hapur zjarr me automatikë nga disa drejtime duke bërë që makina e viktimave të shpërthejë në flakë.

Dy personat e tjerë që janë vrarë në atentat janë Besmir Hoxha e Brilant Martinaj. Ky i fundit ëstë djali i xhaxhait të Ervis Martinajt e është një emër i njohur për drejtësinë.

Ai është një nga personat e dyshuar për vrasjen e efektivit të policisë Xhulio Prela, ngjarje e ndodhur më 5 dhjetor 2020 në rrugën Lezhë-Milot.

Efektivi Xhulio Prela, i vrarë më 5 dhjetor 2020

Përveç Martinajt, për krimin e rëndë është arrestuar edhe Nikoll Sherrniku, i cili akuzohet se bashkë me Martinajn qëlluan për vdekje efektivin.

Brilant Martinaj dyshohet gjithashtu se ka pasur lidhje me vrasjen e ish-efektivit të policisë, Xhelal Reçi, ngjarja e ndodhur me 1 nëntor 2021.

Martinaj është nga zona e Fushë Kuqes ndërsa për të qarkullojnë video në rrjetet sociale duke qarkulluar me armë që në moshë të mitur.

Në një prej tyre ai ndalohet nga një polic, të cilit Martinaj i drejtohet duke i thënë: “A më njeh kush jam.”

 

Si ndodhi atentati

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në mbikalimin e Fushë Krujës ku ndaj mjetit me të cilin udhëtonin, Martinaj, Vata e Hoxha është qëlluar mbi 60 herë më kallashnikov.

Mjeti ka marrë flakë ndërsa vetëm njëri nga viktimat, Vata, ka mundur të dalë në rrugë duke ndërruar jetë në vend, ndërsa dy të tjerët janë djegur brenda mjetit.

Pak çaste më pas, jo shumë larg vendit të ngjarjes është gjetur nga policia një mjeti i djegur, i cili dyshohet se u përket atentatorëve.

Brenda tij është gjetur një armë zjarri që dyshohet se u përket atentatorëve. Forca të shumta policie kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe në zonat përreth ku kanë ngritur postblloqe e kanë nisur kërkimin për kapjen e autorëve të atenatit mafioz.

Njoftimi i policisë

“Në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, te mbikalimi i Fushë Krujës, dyshohet se në drejtim të një automjeti tip “Volswagen Passat” është qëlluar me armë zjarri. Si pasojë automjeti ka marrë flakë dhe janë djegur në automjet dy shtetas ende të pa identifikuar. Gjithashtu, nga të shtënat ka mbetur i vrarë dhe shtetasi D. V., 30 vjeç, nga Fushë Mamurrasi, i cili ka qenë pasagjer por ka mundur të dalë nga automjeti, dhe ka humbur jetën sapo ka dalë prej tij. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe forca të shumta Policie. Nga krehja e zonës, në Larushkë, është gjetur duke u djegur një automjet tip “Volsëagen Passat” që dyshohet se është i autorëve. Në brendësi të automjetit është konstatuar një armë zjarri automatike që dyshohet se është përdorur nga autori/ët për të kryer krimin. Në ndihmë të Policisë vendore kanë shkuar grupe të FNSh Tiranë dhe janë ngritur pika kontrolli nga DVP Tiranë e Lezhë. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë,  po punon për identifikimin e dy shtetasve të djegur në automjet dhe për  sqarimin  e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e cdo prove të vlefshme që do ti shërbejë zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimit të autorëve.”