Vendosni fjalën kyçe....

Deputetët e PD-së nuk u ftuan në ceremoninë e 109 vjetorit të Pavarësisë, Bujar Leskaj: Do e quajmë defekt teknik


Deputeti i PD-së Bujar Leskaj e ka quajtur “defekt teknik”  mungesën e ftesës nga mazhoranca për deputetët e opozitës, për të marrë pjesë në ceremoninë e 109-vjetorit të Pavarësisë, që u organizua paraditen e sotme në sheshin e flamurit në Vlorë.

Në një prononcim për mediat, Leskaj tha se më 28 Nëntor të gjithë duhet të jenë të bashkuar, prandaj mungesën e ftesës do e quante thjesht një “defekt teknik”.

“28 nëntori është dita e kombit, është dita e të gjithëve, është themeli i shtetit shqiptar, i kombit shqiptar ku të gjithë ne pa dallim bindje apo ndasie politike apo fetare përulemi me respekt para varrit të atit të kombit, Ismail Qemalit, para firmëtarëve të pavarësisë dhe gjithë shtetarëve që themeluan dhe konsoliduan ndër vite shtetin shqiptar.

Kjo datë natyrisht festohet kudo ku ka shqiptarë, në Mitrovicë, në Prizren, në Shkodër, në Korçë, në Sarandë, në Tiranë e kudo.

Por siç thotë dhe populli, lezetin kjo festë e ka në Vlorë, të përulemi përpara këtij varri, tek monumenti i Pavarësisë, tek ky qytet që i dha shtetit shqiptar themeluesin e tij, personalitetin numër Një, që pas Skënderbeut zë të parin vend.

Në 28 nëntor ne të gjithë jemi bashkë se është respekti, homazhi ynë për këtë ditë, për atin e kombit, Ismail Qemalin, për gjithë firmëtarët e Pavarësisë.

Sot besoj unë duhet të ishte defekt teknik që përfaqësues të qeverisë nuk kanë lajmëruar deputetët e opozitës apo drejtues të PD-së, megjithatë le ta konsiderojmë si defekt teknik pasi në më 28 nëntor jemi gjithë bashkë pasi jemi të gjithë shqiptarë.”– tha Leskaj.